Era Elezaj transferohet tek gjigandi turk “Kuzeyboru”

Një lajm i madh për sportin pejan dhe atë kosovar! Volejbollistja pejane, Era Elezaj, vetëm 16 vjeçare, ka arritur një marrëveshje me ekipin gjigand turk “Kuzeyboru”, për të vazhduar rrugëtimin e saj në njërën prej ligave më të forta të Evropës.
Era e nisi volejbollin në qytetin e saj të lindjes, Pejë, tek ekipi “Suti Sport”, ku me punën e madhe të trajnerëve, talenti i saj jo vetëm që u shfaq, por edhe u formua një kampione e re. Qysh në vitin e parë, ajo arriti të ndihmojë ekipin të shpallet kampion me të gjitha gjeneratat e reja.
Ambicjet e saj për të vazhduar rrugëtimin në Superligën A e nxitën atë të nënshkruante me klubin e “Fushë Kosovës”, ku me mjaft sukses ishte pjesë e ekipit të parë gjatë gjithë sezonit.
Me shtatëlartësinë e saj, ajo ra në sy edhe të ekspertëve të volejbollit evropian, çka solli disa oferta, ndër to edhe një prej më seriozeve nga klubi turk “Kuzeyboru”, me të cilin Era ka nënshkruar marrëveshjen.

Vlen të theksohet që Era vjen nga një familje sportistësh, nga familja Elezaj e Radacit, e cila me krenari po lë gjurmë edhe në volejbollin ndërkombëtar.
