75 Mall Live Search
08:37 / E Hënë, 25 Gusht 2025 / H F

50% më pak kërkesa për azil në Kosovë këtë gjysmëvit krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2024

Gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2025, Kosova ka regjistruar një rënie të ndjeshme në numrin e kërkesave për mbrojtje ndërkombëtare, duke shënuar vetëm 54 aplikime, krahasuar me 118 sa ishin në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Të dhënat janë bërë të ditur për Front Online nga Ministria e Punëve të Brendshme, e që sipas saj, azilkërkuesit kryesisht vijnë kryesisht nga Siria, Jordania, Palestina dhe Maroku.

“Numri i kërkesave për mbrojtje ndërkombëtare për periudhën 1 janar-30 qershor 2025 është 54. Kryesisht dominojnë shtetet si: Siria, Jordania, Palestina dhe Maroko. Krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit 2024 ku kishim 118 kërkesa për mbrojtje ndërkombëtare dhe gjashtëmujorin e parë të vitit 2025 ku kemi 54 kërkesa shohim rënie prej 50% të numrit të kërkesave për mbrojtje ndërkombëtare”, thuhet në përgjigjen e MPB-së

Sipas statistikave të dërguara në adresë të Front Online nga Ministria e Punëve të Brendshme, në Kosovë aktualisht ndodhen 42 persona që kanë aplikuar për mbrojtje ndërkombëtare.

“Numri i aplikuesëve për mbrojtje ndërkombëtare që gjinden aktualisht në Republikën e Kosovës është 42”, thuhet në përgjigjen e MPB-së.

Gjatë kësaj periudhe, gjithashtu janë regjistruar 6 kthime në vendet e origjinës të personave që kanë aplikuar për mbrojtje ndërkombëtare.

“Numri i aplikuesëve për mbrojtje ndërkombëtare të kthyer në vend të origjinës për periudhën 1 janar – 30 qershor 2025 është 6”, thuhet në përgjigje.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme thonë për Front Onlinen se Qendra për Azil në Kosovë mbetet institucioni përgjegjës për pranimin, regjistrimin dhe akomodimin e aplikuesve.

Tutje, në përgjigjen e ministrisë tregojnë se cilat janë përfitimit që marrin azilkërkuesit.

“Qendra për Azil është përgjegjëse për pranimin, regjistrimin, akomodimin, pajisjen me dokumente personale të parashtruesve të kërkesës për mbrojtje ndërkombëtare gjatë procedurës së kërkimit të azilit. Përfitimet janë shërbime shëndetësore, ndihmë juridike dhe administrative, asistencë sociale dhe psikologjike, shujta ditore, veshmbathje, pako higjienike dhe forma të tjera të ndihmës fizike”, thuhet në përgjigjen e MPB dhënë Front Onlinet.