75 Mall Live Search
09:26 / E Hënë, 25 Gusht 2025 / H F

Pamje nga shërbimi votues i KQZ-së, Elezi: Pas pesë ditësh mbyllet afati për regjistrimin e votuesve nga diaspora

Të hënën në mëngjes, zyrtarët e shërbimit votues filluan javën e fundit të shqyrtimit të aplikimeve të shtetasve që jetojnë jashtë Kosovës për t’u regjistruar për votim me postë në zgjedhjet lokale të 12 tetorit.

Që nga 23 korriku, në shtatë ditë të javës, nga ora 8 e mëngjesit dhe deri në mesnatë, zyrtarët e shërbimit votues kanë shqyrtuar mijëra aplikime të paraqitura në platformën eletronike të KQZ-së.

Gjatë këtyre 33 ditëve, janë regjistruar për votim me postë mbi 21 mijë shtetas të Kosovës.

Kështu bëri të ditur zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

“Prej më shumë se një muaji, në shtatë ditë të javës, dhjetëra zyrtarë të shërbimit votues, kanë shqyrtuar aplikimet për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës dhe brenda një kohe të shpejtë kanë kthyer përgjigje për çdo aplikues. Nga data 23 korrik, kur ka filluar procesi i regjistrimit, dhe deri më 24 gusht, përmes platformës elektronike https://diaspora.kqz-ks.org janë pranuar 26,480 aplikime për regjistrim për votim me postë, prej të cilave janë aprovuar 21,291, ndërkaq janë refuzuar 5,186. Afati për regjistrim do të mbyllet këtë të premte, më 29 gusht”, tha Elezi.

Sipas KQZ-së, në shumicën e rasteve të refuzuara, aplikuesit nuk kanë paraqitur njërin nga dokumentet që dëshmon adresën e tyre jashtë Kosovës. Po ashtu, sipas KQZ-së, çdo aplikues është njoftuar për arsyet e refuzimit të aplikimit dhe mundësinë e riaplikimit, duke plotësuar kushtet e parapara.

Sipas të dhënave krahasuese të KQZ-së, numri i votuesve të regjistruar është shumë më i ulët se në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës të 9 shkurtit 2025, kur ishin regjistruar rreth 105 mijë. Megjithatë, krahasuar me zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2021, procesi i regjistrimit këtë vit është më i lartë.

“Numri i shtetasve të Kosovës të regjistruar për të votuar nga jashtë vendit është më i ulët se në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës të 9 shkurtit 2025. Megjithatë, sipas të dhënave të deritashme është tejkaluar numri i votuesve të regjistruar në zgjedhjet lokale të vitit 2021, që ishte mbi 15,500”, tha Elezi.

Sipas KQZ-së, vetëm shtetasit e Kosovës që do të regjistrohen për votim jashtë Kosovës, do të mund të votojnë përmes postës në periudhën e cila do të fillojë më 17 shtator dhe do të përmbyllet më 11 tetor 2025.