75 Mall Live Search
13:42 / E Hënë, 25 Gusht 2025 / H F

U nda nga jeta ish-gjyqtari i futbollit dhe hendbollit Feriz Parllaku

Ish-gjyqtari i futbollit dhe i hendbollit, Feriz Parllaku, ka ndërruar jetë.

Federata e Futbollit të Kosovës, përmes kryetarit Agim Ademi, i ka shprehur ngushëllime familjes Parllaku.

“E nderuara Familje Parllaku, Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të më të dashurit tuaj, Feriz Parllaku, andaj në emrin tim, të Komitetit Ekzekutiv të FFK-së, klubeve dhe gjithë komunitetit të futbollit në Kosovë, ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta. Ferizi i përkiste gjeneratës së punëtorëve të palodhshëm të periudhës së rezistencës.

Ai ishte gjyqtar i guximshëm dhe i veçantë. Përveç ndarjes së drejtësisë në futboll, me të njëjtin zell kontribuoi edhe në hendboll, në vitet më të rënda por edhe më krenare, kur sporti ishte formë e rezistencës sonë kundër pushtuesit serb.

Pavarësisht kërcënimeve e rrezikut të përditshëm, ai nuk u ndal kurrë. Profesionalizmi dhe trimëria e tij në periudhën e okupimit mbeten dëshmi e karakterit të fortë dhe dashurisë së tij për sportin.

Me ndarjen nga jeta të Feriz Parllakut, Kosova humbi një nga gjyqtarët më të mirë në historinë e saj, por puna, sakrifica dhe përkushtimi i tij ndaj sportit do të mbeten përgjithmonë frymëzim për brezat e ardhshëm.

Ferizi ishte mik i jashtëzakonshëm dhe gëzonte respekt të madh nga i gjithë komuniteti sportiv, derisa në vitet e fundit kontribuoi në FFK si vëzhgues i gjyqtarëve, ku po ashtu u shqua për profesionalizëm dhe përkushtim maksimal.

Në këto momente të dhimbshme, jemi pranë jush dhe ndajmë me ju pikëllimin për humbjen e një njeriu me vlera të larta profesionale e kombëtare.

I përjetshëm qoftë kujtimi dhe lavdi jetës e veprës së tij! Me respekt, Agim Ademi, president i FFK-së”.