Tragjedi në “Emily in Paris”, vdes ndihmësregjisori

Një ngjarje e rëndë ka tronditur produksionin e serialit të njohur “Emily in Paris”. Ndihmësregjisori Diego Borella ka ndërruar jetë në moshën 47-vjeçare pas një incidenti gjatë xhirimeve në Venecie.
Sipas mediave lokale, ngjarja ndodhi të enjten rreth orës 19:00 pranë hotelit “Daniel”, ku ekipi po realizonte skena për sezonin e pestë. Borella u rrëzua papritur në set dhe, pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme të mjekëve, ai u shpall i vdekur si pasojë e një “sulmi të papritur në zemër”.
Paramount Television Studios konfirmoi lajmin, duke shprehur ngushëllimet më të thella për familjen dhe të afërmit e tij. “Humbja e Diego Borellës është një tronditje e madhe për ne. Ai ishte një profesionist i jashtëzakonshëm dhe një pjesë e çmuar e ekipit tonë”, u shprehën përfaqësuesit e studios.
Pas tragjedisë, xhirimet e serialit u pezulluan për disa ditë, për t’u rifilluar më pas të shtunën. Sezoni i pestë i “Emily in Paris”, me protagonistë Lily Collins, Philippine Leroy-Beaulieu, Ashley Park dhe Lucas Bravo, ka nisur xhirimet në Romë, vijuar më pas në Paris dhe aktualisht po zhvillohen në Venecie.
Ngjarja ka lënë një hije trishtimi mbi kastin dhe ekipin realizues, që po e përjetojnë këtë humbje si një moment tejet të dhimbshëm.