Nga 1 shtatori nis mësimi tërëditor në pesë shkolla të Prishtinës

Përgatitjet pothuajse kanë përfunduar dhe shkollat janë gati t’i presin nxënësit, më 1 shtator.
Korridoret janë renovuar, klasat janë sistemuar dhe gjithçka është vendosur për nisjen e fazës së dytë të mësimit tërëditor në kryeqytet.
E në shkollën “Ganimete Terbeshi” në Prishtinë kjo fazë do të zbatohet për herë të parë, ndërsa përgatitjet janë në fazën finale.
Nxënësit nga klasa e parë deri në të pestën do të qëndrojnë në këto hapësira nga ora 8:30 deri në 15:30.
E drejtoresha e kësaj shkolle tregon se komuniteti e ka mirëpritur këtë vendim.
“Nga komuniteti vendimi është mirëpritë jashtëzakonisht mirë për arsye që DKA-ja ka bërë një gjithëpërfshirje në sistemin e arsimit do të thotë fëmijët e shkolles “Ganimete Terbeshi” do të jenë të barabartë me fëmijët në shkollat në qendër të qytetit është një program një reformë krejt e re e mësimit tërëditor komuniteti e ka pritur mirë sepse janë të lumtur se edhe fëmijet e tyre do të kenë aktivitete brenda dhe jo dikush ti çojë e dikush jo”, është shprehur drejtoresha, Shkurte Gashi.
Ndërsa për sa i përket përgatitjeve, drejtori i Arsimit i Prishtinës Samir Shahini tregon që janë duke punuar nëpër disa shkolla.
“Në kuadër të përgatitjeve janë duke u rregulluar nyjet sanitare pjesërisht ndërrim të dyerve dhe dritareve dhe kështu gëlqerosje në pothuajse gjitha këto shkollat e mësimit tërëditor dhe ajo që është më esenciale është edhe pjesa e rregullimit për kuzhinë në kuadër të shkollës e cila do të shërbejë qe këta 1850 fëmijë në baza ditore me shujta nga kuzhina e kryeqytetit në pjesen e programit ne veç se kemi ndarë orët dhe aktivitetet për pjesën mbikorrikulare bashkë me mësimdhënsit dhe drejtoret në këto 5 shkolla duke përmbyllur kështu në një formë përgatitjet dhe pothuajse gjithçka është gati në shumicën e shkollave që të fillojë saktë më 1 shtator mësimi tërëditorë”, ka thënë Shahini.
E njohësi i arsimit Rinor Qehaja thotë që mësimi tërëditor duhet parë si përgjegjësi ndaj nxënësve, e jo si premtim elektoral.
“Mësimi tërëditor po bën tashmë disa vjet në pilotim dhe po gjen zbatim në Komunën e Prishtinës dhe po besoj ka qenë e mjaftueshme për me kuptu nese është një praktik e mirë që mund të gjejë zbatim qendrueshëm gjithandej dhe jo vetëm në Komunën e Prishtinës. Ajo që është super e rëndësishme është që komuna edhe tërë institutcionet qendrore të reflektojnë mbi qato praktika të mira dhe të mos e shohin mësimin tërëditor vetëm si premtim për përfitime elektorale, por mbi të gjitha por si një përgjegjësi që e kanë karshi nxënësve për me ia garantu një shkollim cilësor dhe një kohë te mirë të qendrimit në shkollë”, është shprehur Qehaja.
Përveçq shkollës “Ganimete Terbeshi” mësimi tërëditor në fazën e parë do të fillojë këtë vit edhe në shkollat “Zenel Hajdini” dhe “Pjetër Bogdani” në Prishtinë, “Ditët e Minatorit” në Kishnicë, “Avni Rrustemi” në Mramur dhe shkolla “Teuta” në Grashticë.