75 Mall Live Search
14:49 / E Martë, 26 Gusht 2025 / S Z

VV-ja e dërgon në Supreme vendimin e PZAP-së për Listën Serbe

Lëvizja Vetëvendosje ka dorëzuar në Gjykatën Supreme vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa i cili obligoi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që ta certifikojë Listën Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet e 12 tetorit.

“Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi në cilësinë e anëtarëve të KQZ-së kanë votuar kundër certifikimit të Listës Serbe. Bazuar në nenin 63 par 1, 3, 4 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, anëtarët e KQZ-së kanë të drejtën ekskluzive ligjore të votojnë për çështje që lidhen me procesin zgjedhor. Tutje, në rastin konkret, neni 17 i LZP-së përcakton shqyrtimin e aplikimeve për certifikim. Konkretisht paragrafi 4 i këtij neni jep të drejtë anëtarëve të KQZ-së që të miratojnë apo të refuzojnë certifikimin e një subjekti politik. Anëtarët e KQZ-së kanë zbatuar nenet përkatëse të cilat i japin diskrecion të plotë lidhur me votimin për apo kundër një certifikimi të një subjekti politik”, thuhet ndër të tjera në ankesën e VV-së.

Sipas arsyetimit të PZAP-së, vendimi i KQZ-së nuk ka qenë i bazuar në mënyrë të duhur në ligj dhe nuk është dëshmuar bindshëm që kandidatët në fjalë janë në kundërshtim me nenin 29 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, i cili përcakton kriteret për të drejtën për t’u zgjedhur.

Me këtë vendim, PZAP-ja e ka anuluar vendimin e KQZ-së të datës 21 gusht, në të cilin KQZ-ja e kishte refuzuar certifikimin e kandidatëve të Listës Serbe për shkak të vlerësimit se disa kandidatë nuk i përmbushnin kriteret ligjore për të qenë pjesë e garës zgjedhore.

Kundër vendimit të PZAP-së kanë dalë deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Deputeti Hekuran Murati i LVV-së e ka quajtur vendimin veprim skandaloz, e madje ka kritikuar edhe abstenimin e partive opozitare në KQZ.

Ndërsa deputetja Albulena Haxhiu pati paralajmëruar se si parti do të shqyrtojnë  mundësinë e dërgimit edhe në Gjykatën Supreme.

Lista Serbe vendosi të garonte në zgjedhjet e sivjetshme lokale, pasi kishte bojkotuar zgjedhjet e kaluara lokale, duke bërë që kryetarët shqiptarë ta merrnin dhe mbanin pushtetin në katër komunat me shumicë serbe në veri të vendit nga maji i vitit 2023.

Nëse certifikohet, Lista Serbe pritet t’i rimarrë të gjitha katër komunat veriore: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.