75 Mall Live Search
11:23 / E Mërkurë, 27 Gusht 2025 / SH

Mercedesi elektrik përshkon distancën pothuajse prej 5.500 km gjatë 24-orëve

Mercedes-AMG ka vendosur standarde të reja për automjetet elektrike. Prototipi i tyre AMG GT XX Concept, i zhvilluar në platformën e re AMG.EA, arriti të përshkojë një distancë të pabesueshme prej 5,479 kilometrash në vetëm 24 orë, duke e tejkaluar rekordmbajtësin e mëparshëm, modelin kinez Xpeng P7, me deri në 1,500 kilometra.

Testi u krye në pistën e famshme të testimit në Nardò të Italisë, ku temperaturat gjatë ditës i kalonin 35 gradët dhe shpejtësitë në pista ishin vazhdimisht rreth 300 km/orë.

Nën karrocerinë e këtij automjeti konceptual janë fshehur tre motorë elektrikë aksialë me një fuqi totale prej 1360 kW dhe një bateri krejt të re 800 volt me ​​një kapacitet prej rreth 114 kWh. Çelësi i suksesit qëndron në sistemin inovativ të ftohjes së baterisë me anë të zhytjes në një lëng të veçantë. Kjo ruan një temperaturë optimale edhe nën ngarkesa ekstreme, siç është drejtimi me shpejtësinë më të lartë dhe karikimi ultra i shpejtë.

Mercedes ka vlerësuar se 300 km/orë është shpejtësia ideale sepse siguron raportin më të mirë midis kohës së drejtimit dhe kohës së karikimit.

E gjithë sfida zgjati më shumë se një ditë, me qëllimin për të përshkuar gjatësinë prej 40,075 kilometrash të ekuatorit, një udhëtim simbolik rreth globit, në më pak se tetë ditë. Dy makina identike u nisën në të njëjtën kohë dhe së bashku e përfunduan këtë sukses në 7 ditë, 13 orë e 24 minuta, me një diferencë prej vetëm 25 kilometrash. Në total, u përshkuan 3,177 xhiro të pistës, një mesatare prej më shumë se 5,300 kilometrash në ditë./Indeksonline/