75 Mall Live Search
13:44 / E Mërkurë, 27 Gusht 2025 / Pranvera Musa

DATËLINDJA E KEVINIT/ “Ylli” i filmit “I vetëm në shtëpi” feston 45-vjetorin

Aktori amerikan i dashur për publikun, Macaulay Culkin, i njohur për rolin e Kevin McCallister në filmat klasikë të Krishtlindjes “Home Alone”, festoi të martën 45-vjetorin e lindjes.

Kevin, i cili nisi karrierën në moshën 10-vjeçare dhe u bë i famshëm botërisht me filmin “I vetëm në shtëpi”, vazhdon të mbetet i lidhur ngushtë me këtë rol që e bëri ikonë të kinemasë.

Ditëlindjen e këtij viti, më 26 gusht, ai e festoi me një surprizë të ëmbël nga partnerja e tij, Brenda Song, e cila i këndoi në shtrat një nga baladat e famshme të grupit Backstreet Boys. Aktori e shoqëroi videon me mbishkrimin “This is 45”, ndërsa u shpreh i lumtur dhe mirënjohës për familjen e tij.

Por jeta personale e Kevin ka qenë e shoqëruar nga vështirësi të mëdha. Ai nuk ka folur me të atin, Kit Culkin, prej më shumë se 30 vitesh.

Marrëdhënia u prish që në fëmijërinë e tij, kur u bë yll i madh në Hollywood dhe, sipas tij, u shfrytëzua me një orar të ngjeshur pune dhe me fitime që shkonin kryesisht për familjen.

Në moshën 15-vjeçare, Kevin e nxori të atin nga administrimi i pasurisë së tij, duke i ndërprerë çdo kontakt.

Babai Kit Culkin ka qenë aktor në rini, por nuk arriti të bëhej i njohur. Më vonë hoqi dorë nga skena për t’u marrë me menaxhimin e fëmijëve të tij, veçanërisht me karrierën e Kevinit, duke qenë përgjegjës për kontratat e tij gjatë kulmit të famës.

Marrëdhënia u shkatërrua përfundimisht për shkak të konflikteve dhe akuzave për dhunë e kontroll abuziv.

Në një intervistë të fundit, Kevin tha se asnjë nga shtatë fëmijët dhe katër nipërit e Kit nuk kanë kontakte me të, pasi ai ka qenë abuziv dhe i ashpër.

Aktori e ka cilësuar të atin si narcisist, duke rrëfyer se ai e kishte përjetuar me xhelozi suksesin e tij të hershëm.

Kevin është shprehur disa herë se ka qenë viktimë e abuzimit fizik dhe mendor, gjë që e shtyu t’i drejtohej gjykatës për t’u shkëputur nga kujdestaria e prindërve, pavarësisht se ishte ende në moshë të mitur.

Sot, si baba i dy fëmijëve me Brenda Song, ai thekson se përpiqet të jetë një prind i kujdesshëm dhe i dashur, krejt ndryshe nga përvoja që pati në fëmijëri.