Shterpcë: Një 5-vjeçare sulmohet nga ujku, përfundon në QKUK

Qendra Klinike Universitare e Kosovës ka njoftuar se në Klinikën Emergjente është pranuar një fëmijë 5-vjeçare nga fshati Brod i Komunës së Shterpcës, me lëndime në gjoks dhe shpinë.
Sipas familjarëve, fëmija është sulmuar nga një ujk dhe është tërhequr zvarrë disa metra nga oborri i shtëpisë, shkruan IndeksOnline.
Pas pranimit në QKUK, fëmija ka marrë trajtimin e parë mjekësor dhe është dërguar në Klinikën e Kirurgjisë Torakale, ku gjendja e tij vlerësohet stabile.
“Mjekët kanë kryer të gjitha ekzaminimet e nevojshme, janë aplikuar vaksinat sipas protokollit dhe është konsultuar edhe psikologu klinik për mbështetjen emocionale të fëmijës.
Pavarësisht gjendjes stabile, pacientja do të qëndrojë për disa ditë në klinikë për monitorim të mëtejmë”, thuhet në njoftimin e QKUK-së./IndeksOnline/