Plenkoviq flet hapur për sulmin në Banjskë dhe paralajmëron luftë civile në Serbi – Bërnabiq reagon vetëm për këtë të fundit, hesht për Banjskën

Pas deklaratës së kryeministrit Andrej Plenkoviq sot në Slloveni se “Serbia është në prag të luftës civile”, ka reaguar në platformën X, kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Bçrnabiq.
“Plenkoviq thotë se Serbia është në prag të luftës civile. E çfarë tjetër? Aq shumë e kanë dashur dhe aq shumë kanë investuar në këtë. E dinë që objektivi i tyre strategjik – që Aleksandar Vuçiq të mos jetë në krye të Serbisë – mund të përmbushet vetëm kështu. Për fat të keq për disa dhe për fat të madh për Serbinë dhe shumicën e qytetarëve të saj, për gjithë popullin tonë, kjo as nuk është e vërtetë, as nuk do të ndodhë. Që ta parafrazoj një këngë tonën – kot ju shkuan paratë, o kushërinjtë e mi, kot ju shkuan të gjithë Dinkot dhe Milat… Librin e gatimit e përfunduat në plehra (edhe fjalë për fjalë)”, shkroi Bërnabiq në X.
Kujtojmë se dje, në Forumin Strategjik të Bledit, kryeministri kroat Andrej Plenkoviq foli për situatën politike në Ballkanin Perëndimor dhe sfidat që shoqërojnë procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian. Veç tjerash ka përmendur edhe sulmin terrorist në Banjskë, ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku.
Gjatë një paneli me tre kryeministra nga Sllovenia, Shqipëria dhe Mali i Zi në Forumin Strategjik të Bledit, ku u trajtuar tema e zgjerimit të mëtejshëm të Bashkimit Evropian, kryeministri Andrej Plenkoviq përmendi sulmin terrorist në Banjskë, duke shtuar se duhet parë edhe realiteti i ashpër politik, raporton “Jutarnji list”.
“E keni Banjskën, e cila në vitin 2023 kaloi pa asnjë vërejtje serioze ose artikulim nga ndonjë në BE, sikur po bëhemi se nuk ka ndodhur. Ky është realiteti. Duhet të jemi me të vërtetë të kthjellët rreth zgjerimit dhe kontekstit global që po ndryshon. Unë jam për zgjerim, mendoj se të gjithë po përpiqen të anëtarësohen, por ata duhet të stabilizohen politikisht”, tha Plenkoviq.
Plenkoviq foli për “realitetin e ashpër politik” të Ballkanit Perëndimor, duke theksuar se Serbia është në prag të luftës civile.
“Keni Maqedoninë e Veriut, e cila është bllokuar. Keni Serbinë, me më shumë se dy vjet trazira të brendshme më të mëdha, më të forta dhe më serioze dhe demonstrata, në prag të luftës civile”, deklaroi mes tjerash kryeministri kroat.