Kosova dhe Sllovenia më afër se kurrë, Gërvalla dhe Fajon hapin rrugë të reja bashkëpunimi

Në kuadër të punimeve të Forumit Strategjik të Bledit, zëvendëskryeministrja dhe ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, zhvilloi një takim me zëvendëskryeministren dhe ministren e Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Sllovenisë, znj. Tanja Fajon.
Në takim u diskutua për thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe nxitjen e lidhjeve mes bizneseve të të dyja vendeve, si një hap i rëndësishëm për ndërtimin e një partneriteti të qëndrueshëm dhe afatgjatë ndërmjet Kosovës dhe Sllovenisë.
Një tjetër temë me rëndësi ishte finalizimi i procesit të njohjes së patentëshoferëve të Kosovës në Slloveni, që do të lehtësojë ndjeshëm jetën e mërgatës sonë dhe do të forcojë edhe më tej lidhjet ndërmjet dy vendeve.
Ministrja në detyrë Gërvalla falënderoi ministren Fajon për mbështetjen e vazhdueshme të Sllovenisë ndaj Kosovës në procesin e integrimit euroatlantik, duke e vlerësuar këtë mbështetje si dëshmi të rolit të Sllovenisë si një mike dhe partnere e vendit tonë.
“Mbështetja e palëkundur e Sllovenisë për integrimin euroatlantik të Kosovës riafirmon rolin e saj si një aleate dhe partnere strategjike e vendit tonë”, theksoi Gërvalla.