Veprim heroik i një mjeku në Lipjan: Dr. Gentrit Hajdini ndihmon gruan dhe fëmijën pas aksidentit

Një aksident trafiku ka ndodhur sot rreth orës 17:15 në qytetin e Lipjanit, pranë rrethrrotullimit afër stacionit të policisë, ku një grua dhe një fëmijë kanë mbetur të lënduar.
Në një moment vendimtar për shëndetin e tyre, në vendin e ngjarjes ka qëlluar Dr. Gentrit Hajdini, mjek specialist i endokrinologjisë, i cili ka ndaluar menjëherë për të ofruar ndihmën e parë emergjente për të lënduarit, transmeton IndeksOnline.
Përpara se të mbërrinin ekipet e urgjencës, Dr. Hajdini ka kryer ndërhyrjet e nevojshme të ndihmës së parë, duke siguruar stabilizimin e gjendjes së viktimave dhe duke ndihmuar në menaxhimin e situatës deri në mbërritjen e autoriteteve.
Veprimi i tij i shpejtë, profesional dhe human ka marrë vlerësime nga qytetarët e pranishëm, të cilët kanë theksuar rolin e rëndësishëm që pati mjeku në ato momente kritike.
Ndërkohë, autoritetet kompetente kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.