75 Mall Live Search
10:26 / E Premte, 05 Shtator 2025 / A

Rama padit Ministrinë e Financave: 35 milionë euro të bllokuara politikisht ndaj Prishtinës

Kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama, ka dorëzuar sot në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës një kërkesë kundër Ministrisë së Financave, për siç tha ai, cenimin e buxhetit të Komunës së Prishtinës.

Pas dorëzimit të kërkesës, para Gjykatës Kushtetuese, Rama së bashku me nënkryetarin e kryeqytetit, Shkëmb Manaj, mbajtën një konferencë për media.

“Siç jeni në dijeni, tash e nëntë muaj kjo ministri e ka bllokuar buxhetin për Komunën e Prishtinës. Në argumentin tonë, kjo përbën shkelje të rëndë të Kushtetutës së Kosovës, sepse cenohet buxheti por edhe jeta e qytetarëve. Kjo është bllokadë puro politike”, tha Manaj.

Rama theksoi se bëhet fjalë për 35 milionë euro, mjete që sipas tij i takojnë ligjërisht kryeqytetit.

Ai tha se njësoj ka ndodhur edhe me projektin e unazës së qytetit, për të cilin, 82 milionë euro kishin qenë grant.

“Fondet të cilat me ligj i takojnë kryeqytetit janë të bllokuara tash e nëntë muaj. Në instanca të ndryshme kjo qeverisje ka bërë bllokada në nivele të ndryshme, prej unazës së qytetit ku janë bllokuar 82 milionë euro të cilat kanë qenë falas, por për çështje politike ky ministër e ka penguar procesin”, shtoi Rama.