75 Mall Live Search
18:22 / E Premte, 05 Shtator 2025 / F.R

Në ujë, tërmete e male – Njësia e Kërkim-Shpëtimit të FSK-së sjell shpresë

Në bregun e Liqenit të Radoniqit ka zbarkuar Forca e Sigurisë së Kosovës, dy njësite të Gardës Kombëtare që ndonëse misionet i kanë ndryshe, po i bashkon i njëjti ujë.

I pari, është ekipi i zhytësve të FSK nga Njësiti i Kërkim-Shpëtimit, që lëviz sikur një orkestër, në harmoni me secilin veprim të pjesëtarëve të saj.

Çdo rrip, çdo kostum e bombol oksigjeni është pjesë e një rutine të përpiktë për të cilën, nuk tolerohet asnjë lëshim.

Tjetra togë është pjesë e një ushtrimi të mbijetesës, kësaj radhe në ujë.

Të dyja ekipet po nisen drejt thellësive të Radoniqit, një botë tjetër që për çelës të suksesit e ka guximin, koordinimin dhe besimin tek njëri tjetri.

Por uji e ka në natyrën e tij të jetë i paparashikueshëm. (Fillon shi) Këtë po ia ndihmon edhe shiu i rrëmbyeshëm, terri i së cilës kaploi liqenin.

Në qetësi, po veprojnë ekipet e FSK që në këto momente, në ujë do të hedhin “një palë sy më shumë”, dronin nënujor.

Zhytësit nisin të lirojnë presionin e bombolave dhe pasi e bëjnë këtë, zhduken nga sipërfaqja e trazuar e ujit.

Por edhe në ujë, për zhytësit ekzistojnë disa vija të kuqe që nuk duhet kaluar.

“Prej detyrave kryesore të gardës është mbështetja ushtarake për autoritete civile sidomos në këto tre fushat që institucionet tona të sigurisë nuk kanë autoritetet operacionale kështu që si pjesëtar të kërkim shpëtimit, kanë kapacitetet e nevojshme për mbështetje të autoriteteve civile. Para fillimit të zhytjes ne bëjmë një plan të zhytjes duke iu referu misionit dhe situatës, duke iu referu limiteve, bazuar në operacion, ato asesi nuk guxojnë të kalohen. Njëra është thellësia, masat e sigurisë. Kemi disa tabela të dekompresionit që duhet t’iu referohemi secilës zhytje, në trajnim e operacion. Kjo varet nga shumë faktorë, një prej tyre prej bombolës së oksigjenit. Po duke iu falenderu lidershipit të FSK po edhe partnerëve tanë, ne si qendër kemi pajisjet më moderne që posedojmë”, ka deklaruar Valdrin Ahmeti, Rreshter-major në Gardën Kombëtare.

Në ujë qëndruan për rreth gjysmë ore e se si e përfunduan ushtrimin, po na tregojnë nga poshtë.

Oksigjeni mbetet jetik por FSK është përballur edhe me orë të gjata intervenimi, si ai në Liqenin e Ujmanit në korrik të këtij viti, plot 8 orë në kushte të rënda atmosferike.

Por për njësinë e Kërkim-Shpëtimit të FSK-së, uji nuk është sfida e vetme.

Asistenca e tyre kalon përtej kësaj, në male e zona urbane. E si e tillë, është e pazëvendësueshme.

“Është prej njësive më të veçanta sepse kemi të bëjmë me detyra më specifike më reale, më të ndërlikuara dhe më sensitive. Kemi të bëjmë me intervenime njerëz të humbur, njerëz të vdekur. Publiku do thoja se është e rëndësishme ta dijë që ne jemi përherë të gatshëm dhe kemi vullnetin për me iu ndihmu. Saherë që ka thirrje, garda është e gatshme që të intervenojë, të asistojë”, ka deklaruar Fisnik Ahmeti, Toger.

Një tjetër demonstrim po ndodh në kazermën “Evropianët e rinj”, të stacionuar në Pomozotin.

Ekipet e kërkim-shpëtimit po i përgjigjen thirrjes për ndihmë pas një tërmeti me ç’rast, dyshohet se një person ka mbetur i ngujuar në katin e fundit të këtij objekti.

Ai lokalizohet, kontrollohet për lëndime e po vendoset me kujdes në një parcelë që do të bartet nga lartësia prej 4 katesh.

Sfidë mbetet ulja e tij tek ofruesit e ndihmës së parë, që po presin poshtë, përmes një litari që duhet vendosur në një pikë të qëndrueshme e të sigurt.

Pasi sigurohet, pjesëtarëve poshtë iu dërgohet thirrja.

Por tërmeti, një ndërtesë ngjitur saj e ka rrënuar tërësisht pa asnjë hyrje të mundshme për pjesëtarët e kërkim shpëtimit.

Por thirrjes së ushtarëve, i përgjigjet dikush.

Kalimi i këtyre rrënojave mbetet sfidë në vete nga terreni që shihet dukshëm që vetëm i lehtë, nuk është.

Por përkushtimi në misionin e tyre, mbetet po aq i fortë sa thirrja për ndihmë.

Në pjesën ku ka ngecur këmba, ushtarët vendosin një kompresor që rrit hapësirën mjaftueshëm, sa për ta nxjerr të lënduarit nga rrënojat.

Por kërkimi vazhdon për të tjera viktima të mundshme nën këtë gërmadhë që më lehtë, e mbulon njësia K9 e FSK-së.

“Njësia K9 shërben për identifikimin e rrënimeve brenda rrënojave që na kursen kohën që na qon deri te objektivi. Tani i kemi 7 qenë, me strukturë 9 por 7 janë aktiv. Punën na e lehtëson shumë. Sa e kërkojmë në krejt rrënojat, pjesëtarët e K9 na tregojnë direkt ku është viktima”, ka theksuar Ridvan Kalludra.

Siç thotë Kalludra, ashtu edhe ndodhi. “Pixel” siç edhe e ka emrin, nuhati një person të dytë.

Me pajisjet e teknologjisë së fundit, ata po hapin një vrimë në mur, mjaftueshëm sa për t’u futur.

Krijimi i tij zgjati 20 minuta e në errësirën e hapësirës brenda, hyn drita, bashkë me ushtarët.

Me përfundimin e kontrollit në këtë zonë, FSK lë pas një mesazh.

Gatishmëria e FSK-së është dëshmuar edhe në misionet ndërkombëtare, sidomos në Shqipëri e Turqi duke ofruar ndihmë pas tërmeteve që goditën të dyja vendet duke e bërë kështu Kosovën, si një partner të besueshëm.

Nga thellësitë e liqenit te rrënojat e pas tërmetit, secila stërvitje mbetet një provë, një  beteje që kundërshtar ka kohën por mbi gjithçka, secila mbetet një dëshmi se aty ku rreziku lind, FSK do ta sjellë shpresën.