75 Mall Live Search
21:33 / E Hënë, 08 Shtator 2025 / Burim

Hasani: Basha, Kryetar i Kuvendit të pakonstituuar – s’mund të marrë vendime

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, në Rubikon të Klan Kosovës, ka folur lidhur me bllokadën e Kuvendit të Kosovës, pas vendimit të fundit të Kushtetueses në rastin e ngritur nga Lista Serbe.

Kujtojmë se çështja tashmë ka ngecur tek nënkryetari nga komuniteti serb.

Lidhur me zhvillimet e fundit, Hasani ka deklaruar se Kuvendi i Kosovës, nuk mund të konsiderohet i konstituuar, pavarësisht se kryetari i zgjedhur tashmë, Dimal Basha e ka shpallur atë si të tillë.

“Kuvendi nuk është i konstituuar kjo është e qartë. Nuk mund të jetë i konstituuar është e pastër si loti e thotë Kushtetuta, e thonë edhe tri aktgjykimet e Kushtetueses”, tha Hasani në Rubikon.

Për më tepër, Hasani theksoi se Basha nuk mund të marrë asnjë vendim dhe se i ka të qarta procedurat administrative të cilat i takojnë sipas Kushtetutës.

“Basha është kryetar i kuvendit të pakonstituuar. Sepse gjendja është kjo, ai nuk mund të marrë asnjë vendim. Si kryetar i ka vetëm ato që i ka me Kushtetutë aty e ka të qartë autorizimet administrative, mund të pret edhe delegacione”.

“E që nuk është rasti i njëjtë me kryeministrin, siç edhe e kam thënë prej ditës së parë, nëse je kryeministër në detyrë nuk të presin kafeve por të presin në zyre. Mos pritja e zyrtarëve të shteteve mike dhe strukturave euroatlantike e ka kuptimin që nuk je kryeministër por je uzurpator. Prej ditës që e ka bërë betimin e deputetit Kurti dhe ka vazhduar të ushtroj funksione ekzekutive ai dhe gjithë të tjerët janë uzurpator”, tha Hasani në Rubikon.