Katari i bën presion Hamasit: Pranoni propozimin e SHBA-së për armëpushim në Gaza

Kryeministri i Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al Thani, i bëri thirrje udhëheqjes politike të Hamasit që t’i “përgjigjet pozitivisht” propozimit të fundit të SHBA-së për një armëpushim dhe marrëveshje shkëmbimi pengjesh në Gaza gjatë bisedimeve në Doha të hënën, tha një zyrtar i informuar mbi bisedimet për Reuters.
“Kryeministri i Katarit i bëri presion Hamasit që t’i përgjigjet pozitivisht propozimit të fundit amerikan, i cili u përcoll nëpërmjet ndërmjetësve dhe synon të arrijë një marrëveshje për armëpushim dhe lirimin e pengjeve në Gaza”, tha zyrtari.
Të dielën, Hamasi tha se kishte marrë disa ide nga Shtetet e Bashkuara për arritjen e një marrëveshjeje armëpushimi në Gaza dhe se ishte në bisedime me ndërmjetës për të zhvilluar më tej këto ide. Gjithsesi, Hamasi kërkon sqarim për dy pikë, numrin e palestinezëve që do të lirohen dhe kohën e lirimit të pengjeve izraelite, pasi nuk mund të lirohen menjëherë.