75 Mall Live Search
12:31 / E Martë, 09 Shtator 2025 / H F

Osmani: Po synohet që për një nënkryetar të bllokohet shteti

Presidentja Vjosa Osmani në një konferencë për media, pas dorëzimit të komenteve në Gjykatën Kushtetuse, tha se bllokimi i kuvendit për moszgjedhjen e një nënkryetari përderisa kryesia ka kuorum, do ta cenonte në mënyre serioze edhe themelet mbi të cilat është ndërtuar Republika.

“Sapo kam dorëzuar komentet në Gjykatën Kushtetuese për rastin e fundit. I jemi përgjigjur Gjykatës Kushtetuese lidhur me çështjen e ngritur nga Lista Serbe. Kam paraqitur komentet për rastin dhe në këtë dokument kemi argumentuar se funksionimi i institucioneve, në veçanti i Kuvendit, është qenësor për ruajtjen e rendit kushtetues, por edhe për ruajtjen e shtetit sovran të Kosovës”.

“Në rrethana kur bllokohet puna e Kuvendit, përkundër faktit që kryesia ka kuorum, pamundësohet ushtrimi i sovranitetit. Bllokimi i Kuvendit për mos përzgjedhjen e një nënkryetari, përderisa kryesia ka kuorum, do ta cenonte në mënyrë serioze edhe themelet mbi të cilat është ndërtuar republika jonë”, tha Osmani.

“Po synohet që për një nënkryetar të bllokohet shteti në tërësi. Një shtet pa institucione është shtet i dështuar. Përderisa kemi kryetar, ka kuorum dhe kryesi, Kuvendi nuk duhet të bllokohet. Pozita që i takon komunitetit serb mbetet për komunitetin serb. Askush nuk do ta zërë atë vend, ai do të plotësohet në një seancë të radhës”.