75 Mall Live Search
13:47 / E Martë, 09 Shtator 2025 / b l

Osmani po pret përfundimin e muajit për caktimin e mandatarit për qeverinë e re

Presidentja e Kosovës është duke pritur fundin e muajit që të vjen aktgjykimi i ri i Gjykatës Kushtetuese lidhur me çështjen e konstituimit të Kuvendit, të cilin ajo e konsideron të kryer edhe pse nuk është zgjedhur nënkryetari nga komuniteti serb.

Osmani ka thënë se pasi të skadojë masa e përkohshme e vendosur nga Kushtetuesja, “menjëherë” do t’i ndërmarrë hapat për caktimin e mandatarit për formimin e qeverisë së re.

“Na ndalohet që të ndërmarrim çdo procedurë për caktimin e mandatarit dhe krijimin e qeverisë”, ka thënë fillimisht Osmani, duke shtuar se pas shtatorit do t’i ndërmarrë veprimet që i takojnë asaj, e më pas ka thënë se “punët e tjera janë në duar të partive”. “Menjëherë pas 30 shtatorit, shpresoj që do ta kemi mundësinë me konstituimin e të gjitha institucioneve, dhe në momentin që të skadojë masa, me shpresën që do të ketë vendim në frymën pozitive të konstituuimit – po atë ditë do ta thërrasë partinë e parë dhe menjëherë do të procedojë edhe me caktimin e mandatarit. E pastaj punët e tjera janë në duar të partive, kush e krijon shumicën, si e krijojnë shumicën, si votohet qeveria, ato pastaj janë jashtë këtij institucioni”, ka thënë Osmani në një konferencë për medie.