75 Mall Live Search
12:51 / E Mërkurë, 10 Shtator 2025 / H F

Mijëra euro për të blinduar sigurinë në burgje, SHKK blenë skanerë e detektor për zbulimin e kontrabandës (Dokument)

Shërbimi Korrektues i Kosovës ka rritur ndjeshëm përkushtimin ndaj sigurisë në institucionet korrektuese, duke investuar në pajisje moderne që synojnë të përmirësojnë kontrollin dhe të minimizojnë rreziqet e kontrabandës.

Në total, janë mbi 246 mijë euro të investuara në këtë drejtim, ku përfitues është Qendra e Paraburgimit në Gjilan. Një nga pajisjet kryesore të përfshira në këtë proces është Skaneri X-Ray Dv, i cili do të shërbejë për kontrollin e të gjitha pakove që hyjnë në institucion, shkruan IndeksOnline.

Furnizimi i kësaj pajisjeje do të realizohet nga kompania Tetroniks L.L.C, me një vlerë prej 121,985.03 euro. Por përmirësimi i infrastrukturës nuk ndalet me kaq. Në kuadër të të njëjtit projekt janë siguruar edhe një detektor dere statik, që kap vlerën prej 67,000.00 euro, si dhe detektorë dore për kontroll mobil, në vlerë prej 45,000.00 euro.

Të dy këto furnizime do të realizohen nga bashkimi i operatorëve ekonomik “NOVUS SH.P.K.” dhe “SCANTECH GROUP L.L.C.”, të cilët kanë fituar tenderin përkatës.

Masa më e fortë teknologjike vjen në formën e një pajisjeje të specializuar për zbulimin e kontrabandës së telefonave mobilë brenda qendrës së paraburgimit.

Kjo pajisje kap shifrën prej 124,998.00 euro, duke e bërë një nga investimet më të rëndësishme të këtij cikli.

Këto masa janë pjesë e strategjisë së re të Shërbimit Korrektues për rritjen e kontrollit, mbrojtjes dhe efikasitetit të institucioneve të tij, duke u bazuar në teknologji moderne dhe standarde të avancuara të sigurisë./IndeksOnline/