75 Mall Live Search
14:25 / E Enjte, 11 Shtator 2025 / MSH

Osmani kritikoi kushtet e shkollës “Ismail Qemali”, Lushaku-Sadriu: Pse nuk thirre kurrë një tryezë të përbashkët për t’i zgjidhur këto probleme?

Deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, ka kritikuar qasjen e presidentes Osmani ndaj rastit të shkollimit të vajzave të saj.

Përmes një postimi në Facebook, Lushaku-Sadriu u shpreh se, si ish-drejtoreshë e Arsimit në kryeqytet, nuk lejon të keqpërdoret emri i një shkolle të madhe të Prishtinës, nga e cila kanë dalur personalitete të shquara, shkruan IndeksOnline.

 “Le ta kujtojmë se për pesë vite, Presidentja dhe partitë e saj satelite në pushtet e kanë injoruar arsimin, shkollat, fëmijët, prindërit dhe mësuesit! Mësimdhënësit janë lënë të vetëm, pa rritje të mjaftueshme pagash, pa kushte minimale pune; nxënësit pa kushte elementare mësimi, prindërit me kosto të larta për qëndrimet jashtë orarit, të cilat shkollat nuk kanë kapacitete t’i ofrojnë” ka shkruar ajo, duke thënë se shkolla do të rinovohet tërësisht vitin e ardhshëm.

Lushaku-Sadriu pyeti se pse nuk ndërmori asnjë nismë për të siguruar fonde presidentja, meqenëse ka qenë në dijeni për kushtet e shkollës.

“Nëse kishte informata se fëmijët nuk kanë siguri në shkollë (dhe Siguria nacionale është në kompetencën e saj) pse nuk ndërmori asnjë hap për t’i mbrojtur fëmijët në shkolla? Pse nuk thirri kurrë një tryezë të përbashkët me institucionet për t’i zgjidhur këto probleme në nivel kombëtar? A nuk janë fëmijët tanë prioritet e siguri nacionale?!” u shpreh ajo.

Ky është reagimi i plotë i saj:

A NUK JANË FËMIJËT NË SHKOLLA PRIORITET DHE SIGURI NACIONALE?

Është e pabesueshme se si një Presidente përdor kushtet e vështira të një shkolle për të ndërtuar një rrëfim për “sakrificën” e saj; për t’u distancuar nga përgjegjësia për arsimin publik dhe për të sulmuar mediat e gazetarët. Tri probleme serioze të përmbledhura në një sulm publik!

Si ish-drejtoreshë e Arsimit në Prishtinë, ndjeva obligim të reagoj ndaj keqpërdorimit të emrit të një shkolle me nam të kryeqytetit, që ka formësuar fëmijë, të cilët sot janë personalitete të shquara.

Shkolla “Ismail Qemali”, me afro 3000 nxënës, është ndërtesë e vjetër, për të cilën tashmë është siguruar fondi për renovimin e tërësishëm vitin që vjen. Deri atëherë, komuna ka ofruar tabela digjitale, kurikulë digjitale dhe kushte, për aq sa e lejojnë mundësitë buxhetore. Nga viti tjetër, fëmijët e “Ismail Qemalit” do të kenë shkollë të re dhe moderne. Se, nxënësit e kësaj shkolle e meritojnë, tregojnë rezultatet e jashtëzakonshme që ata i arrijnë në gara.

Por le ta kujtojmë se për pesë vite, Presidentja dhe partitë e saj satelite në pushtet e kanë injoruar arsimin, shkollat, fëmijët, prindërit dhe mësuesit! Mësimdhënësit janë lënë të vetëm, pa rritje të mjaftueshme pagash, pa kushte minimale pune; nxënësit pa kushte elementare mësimi, prindërit me kosto të larta për qëndrimet jashtë orarit, të cilat shkollat nuk kanë kapacitete t’i ofrojnë.

Sot në Kosovë, 73% e paraleleve dhe 33% e shkollave nuk kanë kapacitete minimale për mësim normal. Komunat arrijnë të mbulojnë kostot minimale, derisa Ministrisë së Arsimit i mbetet buxheti i pashfrytëzuar si mungesë vizioni!

Por, sot del një pyetje e rëndësishme: nëse një Presidente e Republikës, për pesë vite, kishte informata kaq të afërta për nevojat e një shkolle, pse nuk ndërmori asnjë nismë për të siguruar fonde, qoftë nga buxheti shtetëror, qoftë përmes mbështetjes ndërkombëtare e donatorëve, për ta renovuar të paktën një shkollë publike? Nëse kishte informata se fëmijët nuk kanë siguri në shkollë (dhe Siguria nacionale është në kompetencën e saj) pse nuk ndërmori asnjë hap për t’i mbrojtur fëmijët në shkolla? Pse nuk thirri kurrë një tryezë të përbashkët me institucionet për t’i zgjidhur këto probleme në nivel kombëtar? A nuk janë fëmijët tanë prioritet e siguri nacionale?!

Edhe më shqetësuese është se, duke përdorur kushtet e vështira të shkollës dhe ngarkesën me mijëra nxënës, po sulmohen mediat dhe gazetarët. Kjo është e paprecedentë. Kur pushteti sulmon mediat e gazetarët, në vend se të sheh prioritet investimin në shkolla, kemi të bëjmë me tendenca autokratike e të rrezikshme për vendin.

Kosova ka nevojë për lidership vizionar, që jep zgjidhje për arsimin, që hap dyer për investime, integrim në NATO e BE, por jo për viktimizime personale, popullizëm dhe e sulme ndaj lirisë së shprehjes.