Enes Konxheli, talenti 17-vjeçar që ëndërron ta përfaqësojë Kosovën

Një tjetër emër premtues për Kosovën po del në pah në futbollin gjerman dhe këtë herë bëhet fjalë për një mesfushor të ri kosovar.
Enes Konxheli, 17 vjeç, lindur dhe rritur në Mynih të Gjermanisë, aktivizohet si mesfushor ofanziv te SC Unterpfaffenhofen U19 në Gjermani, ndërsa pas vetes ka një rrugëtim të rëndësishëm në akademinë e njërës prej shkollave më të mëdha gjermane të futbollit, TSV 1860 München.

Konxheli kaloi plot 6 vite në akademinë e 1860 München, aty ku pati rastin të zhvillojë ndeshje miqësore e turne kundër gjigantëve evropianë si Barcelona, Juventusi, Interi apo Borussia Dortmundi.
Mesfushori i ri ka qenë gjithashtu pjesë e një grumbullimi me Kombëtaren e Kosovës, ku u ftua së bashku me lojtarët më të mirë kosovarë të moshës së tij. Ky moment ka qenë i veçantë për të, pasi ka treguar lidhjen e fortë me vendlindjen e prindërve të tij.
Në një bisedë për Gazeta Express, Konxheli ka shprehur hapur dëshirën e tij për të veshur fanellën dardane në të ardhmen.
“Unë do të doja ta përfaqësoja Kosovën, vendin e prindërve të mi. Është një ndjenjë ndryshe dhe shumë e veçantë për mua,” ka thënë Konxheli.
Me një të ardhme të ndritur përpara, Enes Konxheli shihet si një talent i madh që mund të bëhet pjesë e gjeneratës së artë të futbollit kosovar, nëse vazhdon me këtë ritëm zhvillimi.
Ai filloi të mirrej me futboll që nga mosha 4-vjeçare dhe është ëndrra e tij që të arrijë në nivelet më të larta të futbollit botëror