“Nashtë le të vdes, se vdes për Republikën e Kosovës”, dëshmitari Gashi rrëfen maltretimet që përjetoi nga forcat serbe

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, këtë të premte, në gjykimin ndaj Millorad Gjokoviqit, i cili po akuzohet për krime lufte, në cilësinë e dëshmitarit është dëgjuar Shaban Gashi. Para trupit gjykues, ai rrëfeu maltretimet që i kishin bërë forcat serbe.
Dëshmitari Gashi rrëfeu ngjarjet që nisën më 7 maj 1999 në Ozdrim dhe përfunduan me burgosjen e tij për mbi gjashtë muaj në burgun e Leskovcit, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ai tha se në mëngjesin e 7 majit 1999 u dëgjuan disa krisma, e menjëherë pas tyre dikush trokiti në dritaret e shtëpisë së tij. Sipas dëshmitarit, fillimisht mendoi se ishte ndonjë nga fqinjët, por më pas në oborr hynë forcat serbe.
“Me 7 maj kanë fillu disa krisma dhe pas tyre kanë ardhë te dritarja me kanë trokit në derë, unë tu mendu mos janë kojshi, kur kom pa krejt bashqja ish kanë me polic, paramilitar me shamija të ngjyrosur me ngjyrë, na kanë urdhëru me dalë nga shtëpia mënjeherë. Na kanë marrë me familje, na kanë marrë policia të lidhur me shamia, të përlynë ftyres, kishin hypë mbi mure me tyta në drejtim të neve kishe po na gjuajn na kanë ba rresht prej aty na kanë marrë kadal dale nja 15-16 vetë na kan qu në oborr të ambulantës”, tha ndër të tjera Gashi.
Tutje, Gashi rrëfeu se si ata ishin mbështetur për muri, ndërsa aty ishte sjellur i plagosur fqinji i tij H.G., i zhdukur që nga ajo ditë. Ai tha se nëna e tij kishte thënë se H.G. do të vdiste, ndërsa polici i ishte drejtuar në gjuhën serbe duke thënë:
“Nashtë le të vdes, se vdes për Republikën e Kosovës”, dhe më pas e kishin dërguar në spital, prej nga dëshmitari tha se nuk e kishte parë më.
Atë ditë, dëshmitari rrëfeu se forcat serbe i kishin mbajtur për tre ditë në depon e fqinjit të tij automekanik, të quajtur “shupa e Shemit”, për të vazhduar më pas në qendrën e paraburgimit në Pejë, ku qëndroi një muaj, dhe më pas në burgun e Leskovcit. Gjatë gjithë kësaj periudhe, sipas dëshmisë, ata u maltretuan, rrahën dhe u ushqyen keq. Madje, gjatë rrugës për në Leskovc, ishin detyruar të këndonin në gjuhën serbe.
Dëshmitari rrëfeu edhe maltretimet në burgun e Leskovcit, duke thënë se sa herë dilnin jashtë për shëtitje, rriheshin, dhe përmendi ditën kur i kishin dezinfektuar dhe më pas u kishin dhënë bukë.
“Na kanë sterpikë kishe për infeksion, mas 15 minutave na prunen bukë, ma shumë hangrëm bari se bukë, s’di qysh kem pshtu”, tha Gashi.
Lidhur me identifikimin e personave më 7 maj 1999, Gashi tha se kishte parë Momo Vukotiqin, ndërsa dikë tjetër nuk arriti ta shohë, pasi sipas tij, të gjithë ishin mbështetur për muri dhe me kokë ulur.
Për të akuzuarin Gjokoviq, dëshmitari tha se punonte si polic rezervë në “zyrën e vendit” në Vitomiricë, ndërsa e kishte parë gjithmonë rrugës për në Pejë, i armatosur dhe me shufër gome.
Dëshmitari përfundoi rrëfimin e tij me kërkesën që drejtësia të vihet në vend:
“Kërkoj që drejtësia të shkoj në vend”, tha Gashi.
Sipas aktakuzës së përpiluar më 23 qershor 2023, Millorad Gjokoviq akuzohet se në vitet 1998-1999, në fshatin Ozdrim- Komuna e Pejës dhe në fshatrat përreth regjionit të Pejës, si pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe, ka aplikuar masat e vrasjes, bastisjes, rrahjes, maltretimit, arrestimit, torturës, trajtimit në mënyre mizore dhe çnjerëzore, mbajtjes në kushte skllavërie, dëbimit dhe deportimit të dhjetëra civilëve shqiptarë. Akuzohet edhe për plaçkitje, djegie dhe shkatërrimin e shtëpive të popullsisë civile të nacionalitetit shqiptar.
Në aktakuzë thuhet se nga ana veriore e fshatit Ozdrim me rrugën regjionale Pejë – Mitrovicë, kishin hyrë ushtria e rregullt dhe në fund nga ana perëndimore e fshatit Ozdrim e cila kufizohet me fshatin Vitormiricë kishin hyrë grupet paramilitare të përzier edhe me pjesëtarë të njësiteve speciale ushtarake, filluan të shtinin me armë në drejtim të popullsisë civile me ç‘rast u vranë gjashtë civilë të nacionalitetit shqiptarë: I.K Sh.K, E.M, R.Sh, Z.Sh dhe M.H, ndërsa tre civilë të cilët u plagosen nga këto të shtëna: A.G, H.G dhe M.G, fillimisht u transportuan për në spitalin e Pejës e më pastaj u ekzekutuan dhe u varrosën në fshatin Lutogllavë, si dhe pesë civil të nacionalitetit shqiptarë: R.K, Z.K, A.K, A.K, A.Sh u vranë gjatë ofensivës, por asnjëherë nuk u gjetën trupat e tyre prandaj ende figurojnë si të zhdukur.
Me këtë, Gjokoviq ngarkohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”, e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë ( tutje “LP i RSFJ-së”) si ligji në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale.