SHBA pezullon dialogun strategjik me Kosovën, Abdixhiku: Është koha t’i japim fund kësaj çmendurie politike

Ambasada Amerikane në Kosovë ka njoftuar para pak minutash pezullimin e pacaktuar për Dialogon e tyre Strategjik në Kosovë për shkak të veprimeve të kryeministrit Kurti.
E në lidhje me këtë ka reaguar lideri i LDK-së Lumir Abdixhiku.
Abdixhiku ka thënë se suspendimi i dialogut strategjik me SHBA-të paraqet pikën më të ulët të relacioneve të Kosovës me aleatin tonë strategjik dhe ekzistencial, si shtet i pavarur e sovran.
“Shkatërruesit e shtetit, bllokuesit historik, shkelësit e Kushtetutës, ligjeve e normave morale njerëzore, kanë zgjedhur të ndërtojnë rrugëtimin e tyre mbi krizën e përhershme, mbi frikën e pashtershme dhe mbi fatkeqësinë e Republikës. Populli i Kosovës nuk është si ta. Populli i Kosovës nuk do të jemi si ta. Është koha të bashkohemi të gjithë; t’i japim fund kësaj çmendurie politike dhe të ndërtojmë shtetin që e kemi merituar gjithmonë – para se të bëhet vonë për të gjithë”, ka thënë Abdixhiku.
Sipas Abdixhikut LDK do të kujdestarojë me plot përkushtim e përgjegjësi rrugën euroatlantike të Kosovës.
“Do të garantojë miqësinë e përhershme me SHBA-në dhe do të rikthejë vendin tonë në binarët e arsyes, ligjit dhe demokracisë.Le t’i japim dritë Republikës sonë të përhershme!”, ka thënë Abdixhiku./Indeksonline/