Komuna e Dragashit akuzon menaxherin e “Hidroregjionit” për vjedhje të ujit, deklarohet kryetari Xheladini

Komuna e Dragashit njoftoi më herët se dje, menjëherë pas fillimit të furnizimit me ujë të pijshëm për fshatin Zgatar, është ndërmarrë një veprim i papranueshëm.
Sipas njoftimit zyrtar të Komunës, menaxheri i “Hidroregjionit Jugor”, Izet Aliu, në mënyrë të fshehtë dhe pa paralajmërim, mbrëmë ka ndërhyrë në burimin e ujit në fshatin Radeshë, nga i cili furnizohet si qyteza e Dragashit, ashtu edhe projekti i sapofilluar i ujësjellësit.
“Ai ka ndaluar rrjedhën e ujit që dërgohet në fabrikën e përpunimit për trajtim dhe më pas shpërndahet nëpër fshatrat e tjerë të Komunës” deklaroi Komuna.
Lidhur me këtë, IndeksOnline ka kontaktuar kryetarin e Komunës, Bexhet Xheladinin, i cili është shprehur tejet i shqetësuar nga ky rast.
“Gjatë procesit të punës së kompanive, kur ka ardhë puna në rezervuar me e çu ujin, ai ka bë pengesa. Që tri-katër herë po bën pengesa. Është një person kontrovers, unë e kam njoftuar edhe kryeshefin e “Hidroregjionit” për veprimet e tij. Thjesht nuk ka bashkëpunim të mirë me Komunën” u shpreh Xheladini.
Ai tha për IndeksOnline se nuk e di se përse Aliu po bën një gjë të tillë, por në rast se përsëritet, është i detyruar të njoftojë organet.
“Nuk e di pse ai po e bën këtë. Por, nëse e përsëritë, neve s’na mbetet tjetër përpos të lajmërojmë Prokurorinë dhe Policinë. Unë dje e kam njoftu edhe përgjegjësin e tij në Prizren. Ai ka prekur edhe tek ora e Komunës. Na ka ardhë [fatura] për një muaj pesë mijë euro si shpenzim i ujit.
Ne 1200-1300 euro brenda vitit bëjmë shpenzime të ujit. Coca-Cola për një muaj me pasë pi, a shpenzime s’ishin bë. Kur e kemi hetuar dhe e kemi pa që ora po sjellet në mënyrë marramendëse, e kemi kontrolluar. E kemi pa që askund nuk ka derdhje e as rrjedhje të ujit, e as nuk ka humbje. Pastaj, ora u kthye në gjendje normale dhe nisi me ecë normal” deklaroi Xheladini.
I akuzuari për këtë keqpërdorim, Izet Aliu, ka replikuar në postimin e bërë nga Komuna e Dragashit, duke e cilësuar informacionin si shpifje.
“Të nderuar qytetarë të Komunës së Dragashit, unë jam Izet Aliu që përmendem në këtë postim. Kjo është një shpifje e ulët e zyrtarit të Komunës që e ka bërë këtë postim. Andaj, publikisht ftoj policinë dhe Prokurorinë e Shtetit që t’i fillojnë hetimet për këtë çështje” shkroi Aliu./IndeksOnline/