Urani i Prishtinës nis fushatën për zgjedhjet lokale

Partia Demokratike e Kosovës ka nisur fushatën zgjedhore në kryeqytet për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, me kandidatin për kryetar të Prishtinës, Uran Ismailin.
Para qytetarëve u prezantuan edhe 56 kandidatët për asamblenë komunale.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, u shpreh optimist për fitore, duke theksuar se partia ka kandidatët dhe programin më të mirë.
“Është koha për Prishtinën, është koha për Uranin. Si popull e si shtet presim edhe një fitore tjetër, fitore të çlirimtarëve tanë që po mbahen në Hagë,” tha Krasniqi mes brohoritjeve të simpatizantëve.
Ai e cilësoi Ismailin si “ministrin më të mirë që ka pasur ndonjëherë Ministria e Shëndetësisë” dhe theksoi se Uran Ismaili është zgjidhja e duhur për kryeqytetin.
Me sloganin “Koha për Prishtinën”, Uran Ismaili tha se ndjehet krenar për përkrahjen dhe se do të punojë me përkushtim për qytetin.
Ai theksoi se Prishtina nuk duhet të mbetet qytet i sfidave bazike, por të shndërrohet në qytetin e ëndrrave për të gjithë banorët e saj.