Nga bombat e ’99-ës te sfidat e diplomacisë: A mban Kosova pa SHBA-në?

Kosova mori shumë nga Shtetet e Bashkuara: mbështetje, ndihmë, njohje. Në vitin 1999, kur dhuna e regjimit serb kërcënonte ekzistencën e saj, NATO-ja, me udhëheqjen e SHBA-së, ndërhyri. Sot, mbështetja është ende aty, por tensioni është i qartë. Vendime të perceptuara si të njëanshme, kritika dhe masa ndëshkuese po trondisin marrëdhënien më të rëndësishme të Kosovës. A mund të ecë Kosova përpara pa SHBA-në, apo po luan me fatin e saj?
Kosova ka ndërtuar shtetësinë e saj mbi mbështetjen vendimtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në vitin 1999, ndërhyrja e NATO-s nën udhëheqjen amerikane i dha fund dhunës së regjimit serb dhe hapi rrugën për liri e pavarësi.
SHBA ishte shteti kyç që njohu Kosovën dhe e përkrahu në rrugëtimin e saj drejt demokracisë e integrimit euroatlantik, duke investuar miliarda dollarë në reforma dhe zhvillim.
Por sot marrëdhëniet mes dy vendeve përballen me një sfidë serioze. Vendime të perceptuara si të njëanshme nga Uashingtoni, pezullimi i dialogut strategjik dhe masat ndëshkuese kanë krijuar tension të ndjeshëm.
Qeveria në detyrë e Kosovës i quan veprimet e saj të ligjshme, ndërsa ish-ambasadorë e analistë paralajmërojnë se prishja e raportit me SHBA-në do të ishte vetëshkatërruese.
Për më shumë se dy dekada, prania e trupave amerikane në Kosovë dhe mbështetja e tyre politike kanë qenë garancia më e madhe e sigurisë. Ekspertët paralajmërojnë se ftohja e kësaj aleance mund të krijojë vakum të rrezikshëm, të cilin aktorë si Rusia mund ta shfrytëzojnë.
Një sondazh i fundit tregon se 77% e qytetarëve të Kosovës e shohin Amerikën si aleatin më të rëndësishëm. Megjithatë, një pjesë e shoqërisë kërkon ndryshim të udhëheqësve politikë dhe përmirësim të kushteve ekonomike.
Pyetja që qëndron mbi tavolinë është e qartë: a mund të ecë Kosova përpara pa SHBA-në, apo çdo hap që largon nga ky partner strategjik është rrezik i madh për të ardhmen e saj?/Radio Evropa e Lirë/