Nuk e fali, mbreti Charles e “godet” princin Harry

Mund të kenë pirë çajin bashkë, por gjërat nuk ndryshojnë aq lehtë.
Sipas “Daily Mail”-it, mbreti Charles ka qenë i qartë: Princ Harry nuk do të rikthehet kurrë si “mbretëror me kohë të pjesshme”, pavarësisht se babë e bir u takuan në Londër dhe shkëmbyen disa momente të ngrohta.

“Charles është njeri falës, por ka respektuar vendimin e nënës së tij të ndjerë që nuk mund të ketë anëtarë ‘gjysmë-brenda, gjysmë-jashtë’ të familjes mbretërore”, tha një burim pranë pallatit.
“Duket sikur dikush e ka ngatërruar një filxhan çaji dhe një copë kek me Traktatin e Versajës”, ironizoi një tjetër burim, duke shtuar se raportimet “të ëmbla” që vijnë nga rrethi i Sussex-ëve vetëm sa i bëjnë më të vështira marrëdhëniet me mbretin.
Për më tepër, vizita shtetërore e javës së kaluar nga Donald Trump, sipas oborrit mbretëror, tregoi fuqinë e monarkisë moderne: një lidhje e fortë dhe e pandryshueshme mes Charles-it dhe princit William, të mbështetur nga anëtarët aktivë të tjerë të familjes.

Megjithatë, një zëdhënës i Harry-t u shpreh se “Duka e Sussex-it është i fokusuar te marrëdhënia me të atin. Për çështje të tjera që lidhen me familjen mbretërore, nuk do të ketë komente”.
Gjatë vizitës, Harry ka treguar foto e video të fëmijëve të tij, ndërsa këngëtarja Joss Stone, që e takoi në Londër, zbuloi se ai shfaqi interes për shkollat britanike dhe komunitetin, duke lënë të kuptohet se një rikthim në Mbretëri nuk është plotësisht jashtë planeve.

Harry dhe Meghan hoqën dorë nga roli i tyre si anëtarë të lartë të familjes mbretërore në janar 2020 dhe që prej asaj kohe jetojnë në Montecito, Kaliforni.