Dembele apo Yamal? Ky do të jetë fituesi i “Topit të artë” sipas kompanive të basteve

Ceremonia e “Topit të artë” 2025 do të mbahet sonte në “Théâtre du Châtelet” të Parisit dhe siç e parashohin kompanitë e basteve, Ousmane Dembélé është në “pole-position”.
Ylli francez i Paris Saint-Germainit, kampion i botës në vitin 2018, kuotohet me vetëm 1,25, përpara spanjollit të Barcelonës, Lamine Yamal (5,25), rival kryesor për këtë trofe.
Prapa dy pretendentëve kryesorë, pozitat e tjera janë më të paqarta, shkruan “Gazeta Express”.
Portugezi i PSG-së Vitinha e zë pozitën e tretë dhe e mbyll podiumin me kuotën 17,20, përpara Mohamed Salahit të Liverpoolit (18,40) e Raphinhas së Barcelonës (27,40), i cili e pati një sezon të jashtëzakonshëm me 34 gola e 25 asistime, numra superiorë karshi atyre të Yamal.
“Outsider” të tjerë janë Khvicha Kvaratskhelia (Napoli-PSG, 63,40) e Achraf Hakimi (PSG, 43,60).
Kylian Mbappé (Real Madrid), në parashikime është jashtë Top 10.