75 Mall Live Search
20:27 / E Hënë, 22 Shtator 2025 / Burim

Kurti kujton Fehmi e Xhevë Lladrovcin: Duke e dhënë edhe jetën për atdheun, ia sollën lirinë Kosovës

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka kujtuar Fehmi dhe Xhevë Lladrovcin me rastin e 27-vjetorit të rënies së tyre.

Ai ka kujtuar edhe dëshmorët Fatime Hetemit dhe Shefqet Zekës.

Postimi i tij i plotë:

Katër dëshmorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të rënë në luftimeve në luftime sikur sot 27 vite më parë, më 22 shtator 1998, përmbledhin në një rast të vetëm shumëçka nga natyra e vërtetë e luftës së drejtë të UÇK-së.

Fehmi Lladrovci (1956) nga Gllanasella e Drenasit, i formuar në Universitetin e Zagrebit të Kroacisë në degën e makinerisë dhe i burgosur politik nga viti 1985 deri më 1991, u kthye në një nga figurat më aktive në vitet ’90 në Gjermani dhe ndër më të zëshmit në përpjekje për çlirimin e Kosovës. Në mes të vitit 1997, ai u kthye në Kosovë bashkë me një grup shokësh, duke hyrë në vitin më intensiv të aktivitetit të tij luftarak edhe si komandant i Brigadës 114 të UÇK-së.

Xhevë Krasniqi Lladrovci (1955) nga Drenoci i Malishevës, e diplomuar dy herë në Universitetin e Prishtinës, për letërsi shqipe në Fakultetin e Filologjisë dhe për drejtësi në Fakultetin Juridik. Që nga viti 1981 kur ajo u njoh me Fehmiun dhe u fejua me të pak kohë më pas, ata u kthyen në partnerë jete dhe partnerë të përpjekjeve për liri, duke mbetur përjetësisht shembull i një çifti që jeton, angazhohet dhe vdes për lirinë e atdheut.

Fatime Hetemi (1977) nga Bistrica e Shalës, iu bashkua Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kur ishte 21 vjeçare, më 1998. Por në këtë rrugë, ajo e pati fatine veçantë ta kishte për shoqe luftëtaren më të paepur të UÇK-së, Xhevën, bashkë me të cilën janë fiksuar aq hijshëm në këtë fotografi të verës së vitit 1998.

Shefqet Zeka (1977) nga Prishtina, aktiv në organizimet e protestave studentore gjatë vitit 1997 dhe 1998, ishte pjesëmarrës në varrimin e të vrarëve të masakrës në Likoshan dhe Qirez më 3 mars 1998. Në maj të vitit 1998, Shefqeti vuri kontakt me Fehmi Lladrovcin, kurse më 2 shtator 1998 u mobilizua në Brigadën 114 të UÇK-së, e komanduar nga Fehmi Lladrovci.

Më 22 shtator 1998, gjatë një depërtimi të forcave serbe në drejtim të Çikatovës dhe Gllanasellës, të katër këta luftëtarë të UÇK-së ranë dëshmorë gjatë luftimeve me forcat serbe, në fshatin Gradinë.

Lavdi Fehmi dhe Xhevë Lladrovcit, lavdi Fatime Hetemit dhe Shefqet Zekës që me angazhimin e tyre më total duke e dhënë edhe jetën për atdheun, ia sollën lirinë Kosovës.