Sa e përgatitur është Kosova përballë sulmeve kibernetike?
Në një kohë kur gjithnjë e më shumë shërbime, të dhëna personale dhe transaksione financiare kalojnë nëpër hapësirën digjitale, siguria kibernetike po bëhet një prej çështjeve më të rëndësishme për shtetet moderne.
Për Kosovën, sfidat nuk lidhen vetëm me mbrojtjen e qytetarëve dhe bizneseve, por edhe me mbrojtjen e institucioneve nga kërcënimet që vijnë prej çdo cepi të botës.
Eksperti i sigurisë kibernetike, Robert Shala, thotë në podkastin 5 pyetje të Radios Evropa e Lirë se Kosova tashmë është pjesë e një hapësire globale ku kufijtë fizikë kanë gjithnjë e më pak rëndësi.
“Kosova, si shtet, normalisht që ekziston në një kontekst kompleks të sigurisë. Kosova ka kërcënime dhe rreziqe të ndryshme, prej vendeve të ndryshme të botës, e hapësira kibernetike lejon që aktorë prej viseve të largëta të bëjnë dëm këtu në vendin tonë, pa qenë fizikisht”, tregon ai.
Shala, i cili ka kontribuar në hartimin e kurrikulës mbrojtëse për siguri kibernetike të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe në zhvillimin e strategjisë kombëtare për siguri kibernetike, thotë se Kosova vazhdimisht lufton sulme kibernetike.
“Sulmet kibernetike nuk ndalen. Në hapësirën kibernetike, konflikti është diçka e natyrshme. Kur nuk ka sulme, atëherë ka pikëpyetje pse s’po mundemi t’i shohim sulmet”, shprehet ai.
Megjithatë, Shala vlerëson se në shumicën e rasteve, reagimi institucional dhe profesional ka qenë i duhur.
Rreziku më i madh: spiunazhi kibernetik
Përkundër frikës së përhapur për sulmet ndaj infrastrukturës kritike, Shala beson se kërcënimi më serioz për Kosovën është spiunazhi kibernetik.
Sipas tij, spiunazhi tradicional me rekrutim të agjentëve në shtetet armike, që mund të ofrojnë sekrete dhe informacione me vlerë, është më i kushtueshëm dhe merr më shumë kohë krahas spiunazhit kibernetik, ku grumbullimi i informacioneve në botën digjitale është më i lehtë.
“Hapësira kibernetike ka krijuar një mundësi të re për shumicën e agjencive të inteligjencës në botë. Duke e ditur që shumica e të dhënave janë në hapësirë kibernetike, edhe grumbullimi i inteligjencës bëhet në hapësirë kibernetike”, shpjegon ai në 5 pyetje.
Bashkëpunimi me aleatët
I pyetur nëse Kosova do të mund ta përballonte një sulm të madh që paralizon institucionet kryesore të shtetit, Shala thotë se asnjë vend nuk mund ta bëjë këtë i vetëm.
“Gjithmonë duhet ndihma e aleatëve. Me NATO-n, me Shtetet e Bashkuara dhe me partnerët tanë strategjikë, bashkëpunimi është i domosdoshëm. Pa të, siguria kibernetike nuk mund të funksionojë”, thekson ai./REL/

