Trump në OKB thotë se u dha fund shtatë luftërave, në mesin e tyre edhe asaj Kosovë-Serbi

Presidenti amerikan, Donald Trump, në një fjalim para Kombeve të Bashkuara të martën, deklaroi se gjatë mandatit të tij të dytë ka ndërprerë shtatë konflikte të ndryshme, të cilat i përshkroi si “luftëra të pafundme”.
Ai përmendi konfliktet mes: Kamboxhias dhe Tajlandës, Kosovës dhe Serbisë, Pakistanit dhe Indisë, Izraelit dhe Iranit, Egjiptit dhe Etiopisë, Armenisë dhe Azerbajxhanit, si dhe luftën e ashpër midis Republikës Demokratike të Kongos dhe Ruandës.
“S’mund ta besoni sa herë më kanë thënë se këto konflikte nuk kanë zgjidhje. Por ja ku jemi sot – paqe. Asnjë president tjetër nuk ka bërë diçka të ngjashme,” u shpreh Trump.
Ai kritikoi Kombet e Bashkuara duke thënë se “nuk kanë bërë asgjë për të ndihmuar në këto çështje”, dhe theksoi se gjatë mandatit të tij ka qenë i përkushtuar për të shpëtuar jetë dhe për t’i dhënë fund luftërave që kanë marrë miliona jetë njerëzish.