75 Mall Live Search
19:27 / E Martë, 23 Shtator 2025 / BA

​EULEX forcon kapacitetin e tij për të kontribuar në sigurinë e të gjitha komuniteteve

Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) njofton se e ka forcuar kapacitetin e tij për të kontribuar në situatën e përgjithshme të sigurisë në Kosovë para zgjedhjeve të ardhshme komunale, përmes dislokimit të pjesëtarëve të Forcës Evropiane të Xhandarmërisë (EUROGENDFOR), të cilët e përbëjnë Njësisë Policore të Specializuar Rezervë (NJPSR) të EULEX-it.

Sipas njoftimit, sot, shefi i Misionit EULEX, Giovanni Pietro Barbano, e udhëhoqi ceremoninë zyrtare, ku morën pjesë Ambasadorët e shteteve kontribuese në EUROGENDFOR, për t’i mirëpritur policët shumë të specializuar dhe të aftë të EUROGENDFOR-it, të siguruar nga pesë forcat pjesëmarrëse: Xhandarmëria Kombëtare e Francës, Karabinierët e Italisë, Xhandarmëria Mbretërore e Holandës, Xhandarmëria Ushtarake e Polonisë dhe Garda Kombëtare Republikane e Portugalisë.

“NJPSR-ja do ta dyfishojë aftësinë operacionale të Njësisë Policore të Specializuar të EULEX-it (NJPS), e cila sigurohet tërësisht nga Policia e Polonisë, për ta përmbushur mandatin e Misionit për të kontribuar në sigurinë e të gjitha komuniteteve, përfshirë këtu edhe rolin si reaguesi i dytë i sigurisë në Kosovë, nëse kjo kërkohet dhe është e nevojshme. Gjatë periudhës së dislokimit të tyre, NJPSR-ja do të kryejë patrullime të dukshme duke rritur vetëdijesimin e Misionit për situatën dhe duke siguruar ndërveprim të plotë me NJPS-në, si dhe me Policinë e Kosovës dhe misionin KFOR të udhëhequr nga NATO”, thuhet në njoftim.

Më tej thuhet se duke i shprehur mirëseardhje NJPSR-së, Barbano theksoi: “Si Njësi Policore e Specializuar Rezervë, ju mishëroni aftësinë e EULEX-it për t’u forcuar në çdo kohë dhe në çdo vend. Forca juaj qëndron në lëvizshmërinë tuaj dhe në gatishmërinë për t’u dislokuar brenda një kohe të shkurtër. Ju jeni forca e Misionit që mund t’i përshtatet ndryshimit të rrethanave, të reagojë shpejt ndaj incidenteve duke e mbështetur NJPSR-në brenda mekanizmit të sigurisë me tre nivele në Kosovë, duke siguruar që rendi publik do të ruhet: prania juaj tregon se EULEX-i është i pajisur jo vetëm për të monitoruar dhe këshilluar, por edhe për të vepruar, me vendosmëri dhe në mënyrë efektive, kur rrethanat e kërkojnë këtë”.

“Jam krenar të shpall sot kapacitetin tuaj të plotë operacional”, përfundoi Barbano.

Ky është dislokimi i gjashtë i NJPSR-së së EULEX-it që nga marsi i vitit 2022.