75 Mall Live Search
09:45 / E Mërkurë, 24 Shtator 2025 / KV

FSK-ja është duke ngritur kapacitetet operacionale me ndihmën e partnerëve

Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK), me mbështetjen e Organizatës për Menaxhimin e Trajnimeve dhe Asistencës së Sigurisë të Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SATMO), vijon përpjekjet e saj për avancimin dhe ngritjen e kapaciteteve operacionale dhe mbështetjes luftarake të personelit ushtarak.

Në përputhje me planet e trajnimit dhe në koordinim të ngushtë me SATMO, si edhe me Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, po realizohet aktiviteti i gjuajtjes taktike me mortaja në stërvitjen që po zhvillohet në Biza, të Republikës së Shqipërisë. Ky aktivitet synon rritjen e gatishmërisë operative, forcimin e bashkëpunimit rajonal mes forcave tona dhe partnerëve ndërkombëtarë.

Trajnimi është realizuar në pjesën teorike dhe praktike i fokusuar në tri detyra kryesore: Trajnimi me mortaja (Mortar training), Kursi për udhëheqës të këmbësorisë dhe Mortajave (Infantry mortar leader course), Vëzhgues i përparmë (Forward observer) ku janë stërvitur në: Përdorimin e sigurt të mortajave, shënjestrimi, gjuajtja, stërvitje e procedurave të koordinimit dhe komunikimit midis elementeve të zjarrit dhe njësive taktike, shkëmbim të përvojave dhe praktikave më të mira me trajnerët dhe këshilltarët e partnerëve ndërkombëtarë etj.

Ky bashkëpunim forcon kapacitetet profesionale të FSK-së dhe kontribuon në sigurinë dhe stabilitetin rajonal përmes trajnimit të sinkronizuar dhe bashkëpunimit të vazhdueshëm me partnerët tanë.