Instituti amerikan: Veç Bosnja më keq se Kosova, vendi nuk po ecën në drejtim të duhur

Mbi gjysma e qytetarëve të Kosovës besojnë se vendi nuk është në rrugën e duhur.
Sipas sondazhit rajonal të Institutit Ndërkombëtar Republikan (IRI), i realizuar nga maji deri në korrik të vitit 2025, 56% e të të anketuarve mendojnë se Kosova po ecën në drejtim të gabuar – një përkeqësim i dukshëm krahasuar me vitin e kaluar.

Çmimet dhe papunësia janë parë si problemet kryesore.
Nga kampioni prej 1,164 të rriturish të intervistuar mes 13 majit dhe 25 qershorit, qytetarët kanë renditur koston e lartë të jetesës si sfidën më të madhe për vendin (45%).
Pas saj vijon papunësia me 19% dhe korrupsioni me 6%.

Edhe pse vetëm 6% e qytetarëve e kanë përmendur korrupsionin si “problemin kryesor” të vendit, ai vazhdon të renditet në mesin e tri sfidave më të mëdha me të cilat përballet Kosova, sipas sondazhit të Institutit Ndërkombëtar Republikan (IRI).