Shkatërrimi i armëve ilegale: Policia e Kosovës dhe partnerët ndërkombëtarë me thirrje për më shumë siguri (LIVE)

Dhjetëra armë të vogla dhe të lehta, të konfiskuara muajve të fundit në gjithë vendin, janë shkatërruar sot në një ceremoni të organizuar nga Policia e Kosovës në ambientet e Metal 05 SH.P.K., në fshatin Prelez, magjistralja Prishtinë–Ferizaj.
Në mesin e armëve të asgjësuara kishte pistoleta të tipit TT, pushkë me dylbi /snajperë/ dhe armë të tjera të kalibrave të ndryshëm. Shkatërrimi u krye nën mbikëqyrjen e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, duke garantuar standarde të larta sigurie.
Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, theksoi se ky proces është pjesë e një angazhimi të vazhdueshëm për siguri.

“Këto armë kanë kaluar nëpër procedurat përkatëse; është një proces i pandërprerë që përfshin shkatërrimin e armëve të mëdha dhe të mesme. Armët legale paraqesin rrezik si për familjen, ashtu edhe për shoqërinë dhe shpesh janë përdorur në raste kriminale. Qytetarëve dhe të rinjve u bëjmë thirrje të qëndrojnë larg armëve. Arma, sa e ka tyten, e ka edhe fatin”.
Hoxha bëri të ditur se që nga viti 1999 janë konfiskuar 36,036 armë ilegale, me një mesatare prej rreth 1,100 armësh në vit:
“Ne kemi policinë, Ushtrinë e Kosovës dhe KFOR-in. Do të vazhdojmë të ofrojmë siguri për të gjithë qytetarët dhe të punojmë që sa më pak armë ilegale të jenë në qarkullim”.

Ndërsa Shefi i UNDP-së në Kosovë, Nuno Queirós, vuri theksin te rëndësia e partneritetit ndërkombëtar për çarmatimin.
“Ne kontribuojmë për një mjedis më të sigurt dhe synojmë një shoqëri gjithëpërfshirëse. Më kujtohet kur kam ardhur para dy vjetësh për shkatërrimin e armëve dhe tani, pas dy vjetësh, jam sërish këtu. Kjo tregon realitetin me të cilin përballemi. Çdo 15 minuta, një armë zjarri përdoret diku në botë, pa llogaritur luftërat”.
Ai siguroi mbështetjen e vazhdueshme të UNDP-së.
“Do të vazhdojmë t’ju mbështesim dhe jemi partnerë shumë krenarë. Urime të gjithëve që janë pjesë e këtij procesi. Gjithmonë llogaritni në ne për shkatërrimin e armëve ilegale”.
Kosova po vazhdon rrugën drejt një vendi më të sigurt, me më pak armë ilegale dhe më shumë besim te institucionet e sigurisë./IndeksOnline/