75 Mall Live Search
12:48 / E Premte, 26 Shtator 2025 / Z S

KQZ-ja njofton se deri më 7 tetor është afati për akreditim të mediave për zgjedhjet lokale

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se po vazhdon periudha e aplikimit online për akreditimin e vëzhguesve dhe përfaqësuesve të mediave për monitorimin e zgjedhjeve lokale për kryetarë të komunave dhe për kuvendet komunale, që do të mbahen më 12 tetor 2025.

Afati për dorëzimin e kërkesave online për akreditimin e mediave vendore dhe ndërkombëtare, i cili ka filluar më 1 korrik, do të përmbyllet më 7 tetor 2025.

Më poshtë e gjeni se si bëhet aplikimi për akreditimin.

Si bëhet aplikimi për akreditim?

Hapi i parë: Përfaqësuesi i autorizuar i medias duhet të plotësojë të dhënat e kërkuara në platformën online: https://apliko.kqz-ks.org

Hapi i dytë: Pas dorëzimit të kërkesës, Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike (ZRCKFSP) do të shqyrtojë atë dhe do të marrë vendim për miratimin ose refuzimin e saj. Në rast të miratimit, ZRCKFSP-ja do të dërgojë përmes e-mailit kredencialet për qasjen në platformën online, të cilat i mundësojnë përfaqësuesit të autorizuar që të plotësojë edhe të dhënat për personat e medias që kërkohen të akreditohen.

Në platformën elektronike online https://apliko.kqz-ks.org është ngarkuar video që shpjegon të gjithë hapat e aplikimit.

Informacione shtesë:

Për më shumë informacione dhe sqarime, mund të kontaktoni zyrën përmes e-mailit në adresën: zyra.kqz@kqz-ks.org, apo përmes telefonit në numrin +383 38 200 81 010. Zyra është e qasshme nga ora 08:00 deri në orën 16:00.

Vetëm vëzhguesit e akredituar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të kenë të drejtë të vëzhgojnë zgjedhjet lokale për kryetarë të komunave dhe për kuvendet komunale, si edhe aktivitetet e tjera që do të zhvillohen në 38 qendrat komunale të numërimit (QKN) dhe në qendrën e numërimit dhe rezultateve (QNR)./Indeksonline/