Agjencia e Ushqimit: Peshku që konsumoni mund të ketë parazitë, por nuk përbën rrezik, veç në ndonjë rast kur përgatitet “crudo” apo sushi

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë në një komunikate të lëshuar përmes Ministrisë së Bujqësisë ka bërë të ditur se në tregun e Kosovës gjendet peshk i ngrirë deti apo oqeani, i cili gjatë përgatitjes mund të shfaqë praninë e parazitëve të llojit Anisakis simplex.
AUV rithekson se prania e këtyre parazitëve nuk përbën rrezik për shëndetin e njeriut në rastin e peshkut të ngrirë, veç në ndonjë rast kur përgatitet “crudo”.
“Theksojmë qartë: Prania e këtyre parazitëve nuk përbën rrezik për shëndetin e njeriut në rastin e peshkut të ngrirë, sepse procesi i ngrirjes në temperatura të ulëta i ka shkatërruar aftësinë e tyre për të shkaktuar sëmundje. Peshku i ngrirë është i sigurt për konsum, veçanërisht kur gatuhet në temperatura mbi 60°C – standard që siguron asgjësimin e çdo rreziku të mundshëm. Ndonjë incident mund të paraqitet vetëm në rastin e konsumimit të peshkut të freskët (të pa ngrirë) i cili nuk është trajtuar fare me nxehtësi apo ngrirje , veçanërisht në përgatitje si “crudo”, sushi apo sashimi. Në këto raste, peshku duhet të jetë patjetër i ngrirë më parë, në përputhje me praktikat ndërkombëtare dhe ligjet në fuqi”, thuhet në komunikatë.
AUV thekson se kjo nuk është vetëm praktikë e vendeve të Bashkimit Evropian, SHBA-së apo Kanadasë, por është e përcaktuar qartë edhe në legjislacionin e Kosovës, të harmonizuar me direktivat e BE-së për sigurinë ushqimore.
“Këto standarde janë të bazuara në studime të shumta shkencore dhe në rekomandimet e institucioneve prestigjioze ndërkombëtare si: EFSA (Autoriteti Evropian për Siguri Ushqimore), FAO (Organizata e OKB për Ushqim dhe Bujqësi), Theksojmë edhe njëherë se, në rastin kur ky produkt përdoret sipas udhëzimeve, domethënë përmes përgatitjes termike (gatimit) apo ngrirjes ai nuk paraqet rrezik për shëndetin publik. Gjithashtu ftojmë të gjithë qytetarët, mediat dhe institucionet relevante që të bazohen në informacione të sakta dhe profesionale, dhe të shmangin interpretimet e gabuara që mund të shkaktojnë panik të panevojshëm në publik.Institucionet përgjegjëse në këtë raste AUV vazhdonë të mbikëqyr dhe kontrollojë në mënyrë rigoroze sigurinë ushqimore në treg, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe standardet ndërkombëtare”, thuhet në njoftim.