Aktori i njohur jep përditësim për gjendjen shëndetësore

Aktori i njohur britanik, Tom Holland, ka thyer heshtjen duke dhënë një përditësim mbi gjendjen e tij shëndetësore, pas një dëmtimi në kokë që pësoi gjatë xhirimeve të filmit më të ri të Spider-Man.
29-vjeçari u lëndua më 19 shtator, teksa diçka nuk shkoi siç ishte planifikuar në setin e Leavesden Studios në Watford.
Menjëherë pas incidentit, paramedikët mbërritën në vendngjarje dhe ai u dërgua në spital për trajtim, shkruan DailyMail.
Si pasojë e dëmtimit, prodhimi i filmit është pezulluar për një javë, pasi nuk ishte e mundur të xhiroheshin skenat në mungesë të aktorit kryesor.
Sipas medieve britanike, kjo ndërprerje pritet t’i kushtojë studios rreth 10.5 milionë funte (afërsisht 12.1 milionë euro), duke marrë parasysh koston e qirasë së hapësirës, mirëmbajtjen e skenave, pajisjet dhe pagesat për kastin dhe stafin teknik, përfshirë edhe akomodimin e tyre.
Në një video të publikuar së fundmi në Instagram, Holland u shfaq në një gala bamirësie të organizuar nga fondacioni i familjes së tij, The Brothers Trust, ku mori pjesë edhe e fejuara e tij, Zendaya.
Krahas postimit, aktori shkroi: “Çfarë nate! Një tjetër sukses i madh. Jam mirënjohës për mamanë time dhe të gjithë ata që ndihmuan të realizohej kjo mbrëmje. Më vjen keq që u detyrova të largohesha herët, por ndihem më mirë dhe jam në rrugë shërimi”.
Holland falënderoi edhe babain e tij për mbështetjen gjatë eventit, duke theksuar se pavarësisht incidentit, është optimist për një rikthim të shpejtë në set.
Për momentin, shëndeti i tij mbetet prioriteti kryesor, ndërsa fansat dhe ekipi i filmit shpresojnë që xhirimet të rifillojnë së shpejti.