75 Mall Live Search
16:25 / E Hënë, 29 Shtator 2025 / Burim

Astronomët amatorë gjejnë fragmente të asteroidit që ra në Francë

Falë ndihmës së astronomëve amatorë, një grup shkencëtarësh kanë arritur të rindërtojnë rrugën e një asteroidi që u shpërbë në Francë.

Më 13 shkurt 2023, një asteroid i vogël, me një diametër më pak se një metër dhe masë rreth 650 kg, hyri në atmosferën e Tokës mbi Francën veriperëndimore dhe u shpërbë rreth orës 16:00. I njohur si 2023 CX1, ky trup qiellor ishte vërejtur për herë të parë vetëm shtatë orë para impaktit nga një astronom hungarez. Ai e vërejti atë në një distancë prej afërsisht 200,000 kilometrash nga Toka, kur kishte një diametër më të vogël se një metër dhe një masë të vlerësuar prej rreth 650 kilogramësh.

Falë rrjetit francez FRIPON/Vigie-Ciel dhe bashkëpunimit të gjerë midis shkencëtarëve profesionistë, amatorëve dhe publikut, u arrit të rindërtohej rruga e asteroidit dhe të gjendeshin fragmentet e tij. Një video e publikuar në rrjete sociale ndihmoi në analizimin e mënyrës së fragmentimit, shkruan A2 CNN.

Deri më tani, pak asteroide janë zbuluar para përplasjes. Vetëm 11 dhe vetëm në katër raste janë gjetur meteoritë. Ky rast i shtohet këtyre shembujve të rrallë.

Asteroidi u shpërbë në dy faza në një lartësi prej 28 kilometrash, duke humbur 98% të masës. Fragmenti i parë u gjet dy ditë më vonë në Saint-Pierre-le-Viger, duke peshuar 93 gramë. Në total, u mblodhën dhjetëra meteoritë, të cilët tani ruhen në Muzeun Kombëtar Francez të Historisë Natyrore.

Asteroidi 2023 CX1 ka të ngjarë t’i përkasë familjes Massalia, një grup trupash në rripin kryesor të asteroideve midis Marsit dhe Jupiterit. Lloji i fragmentimit të vëzhguar, i shpejtë, i dhunshëm dhe në  faza mund të ketë ndikime të rëndësishme në mbrojtjen planetare. Në disa raste, këto shpërthime të shpejta (ose shpërbërje të dhunshme) mund të shkaktojnë dëme më të mëdha, të paktën në aspektin e valëve goditëse, sesa një shpërbërje më graduale.