Covey: UÇK-ja ishte më shumë një lëvizje, s’ka pasur komandë qendrore

Dëshmitari i katërt i mbrojtjes së ish-presidentit Hashim Thaçi, Jock Covey derisa foli për UÇK-në tha para Gjykatës Speciale në Hagë se nuk ka pasur komandë qendrore.
Në ditën e parë të dëshmisë së tij në gjykatoren e Dhomave të Specializuara të Kosovës, ai tha se “UÇK-ja ishte më shumë një lëvizje sesa ushtri”.
Ai foli për një takim i cili sipas tij ishte mbajtur për t’i bindur komandantët e zonave për marrëveshjen për çarmatim. Aty sipas tij, është vërejtur se marrëdhënia e Thaçit me komandantët e zonave ishte “e ndërlikuar”.
“Dukej sikur po konfirmonte fuqishëm atë që besonim që në fillim lidhur me zotëri Thaçin, kur jemi njohur me të, pra që ai kishte një marrëdhënie të ndërlikuar me komandantët në terren, dhe se ata kishin pak kohë, ose më mirë thënë, kishin shfaqur mungesë respekti ndaj tij, në këtë rast për të cilin po flasim, po të shohim këtë vizatim, më lejoni të kthehem pak prapa. Gjenerali Jackson i cili kishte mospajtim me gjeneralin Clark sa i takon përpjekjeve të rusëve për të marrë aeroportin përpara se KFOR-i të hynte në Kosovë dhe unë, gjenerali Clark dhe gjenerali Jackson, dhe është meritë e tyre kjo, kishim tejkaluar këtë mosmarrëveshje serioze dhe gjenerali Jackson pati nevojë që të sjelltë komandantët e UÇK-së dhe t’i rivendoste, t’i bindte ata që t’i pranonin kushtet e zbatimit të marrëveshjes, konkretisht marrëveshje për krijimin e një force mbrojtëse të Kosovës, si organizatë civile e paarmatosur, KFOR-i ishte afër afatit kohor, dhe i duhej ndihmë për t’i bindur komandantët për përgjigje pozitive”, tha ai.
“Zotëri Thaçi nuk kishte marrëdhënie të rëndësishme me këtë trupë të komandantëve në terren dhe kishte shumë pak gjasa që ata të kërkonin udhëzimet e tij, aq më pak urdhrat e tij, apo që të raportonin aktivitetet e tij te ai”, shtoi dëshmitari.
Duke folur për periudhën e vitit 1999, ai tha se e kishin kuptuar që në UÇK nuk ka pasur komandë qendrore.
“Ashtu siç e kemi kuptuar në atë kohë, nuk ka pasur komandë qendrore. Gjeneral Ceku ishte individi me më ndikim në UÇK, me shumë ndikim se të tjerët, megjithatë nuk duhej të ishte në një pozitë të tillë që të merrte përsipër këtë dhe kishte nevojë të dinte që kishte marrëveshje midis tyre. Gjatë takimit ne mund të shihnim gjeneral Çekun shumë të qetë i cili shikonte prapa për t’u siguruar që komandantët e mbështesnin, që mbështesnin hollësitë e marrëveshjes që po diskutohej. Neve na dhanë përshtypje që Çeku kishte nevojë të sigurohej që kishte konsensus që merrte pra mbështetje nga komandantët në terren. Dhe kjo ishte tërësish në përputhje me atë që kuptonim ne, sepse ne kuptonim që UÇK-ja ishte më shumë një lëvizje sesa një ushtri ku secili individ në zona apo komandant në terren kishte autonomi të gjerë, qoftë kjo në realitet apo imagjinatën e tyre, por ata kishin këtë autonomi, ata mendonin që mund të bënin atë që vendosnin të bënin në zonën e tyre, që ishin të pavarur”, tha ai.
Jock Covey është dëshmitari i katërt në Hagë në mbrojtje të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.
Ai ka shërbyer në Kosovë si zëvendës i përfaqësuesit special të sekretarit të OKB-së në Kosovë, Bernard Kushner.
Dëshmia e tij vjen pasi në gjykatore u dëgjuan dëshmia e ish-sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, ajo e ish-këshilltarit ligjor të ekipit të Kosovës në Rambuje, si dhe dëshmia e ish-diplomatit britanik John Stewart Duncan.