75 Mall Live Search
09:53 / E Mërkurë, 01 Tetor 2025 / H F

Mustafa: Shkuarja në zgjedhje epilogu i ardhshëm, Lista Serbe pjesë e rendit kushtetues, duhet integrim jo bojkot!

Ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila konstatoi se Kuvendi i Kosovës nuk është konstituar sipas rregullave kushtetuese. Ai tha se ky vendim ishte i pritshëm për këdo që e njeh dhe e lexon drejt Kushtetutën.

“Ka qenë i pritur gjykimi i Gjykatës Kushtetuese se Kuvendi nuk është konstituar, sepse kështu figuron në Kushtetutë për ata që e lexojnë drejt,” deklaroi Mustafa në një prononcim për IndeksOnline.

Mustafa ka theksuar se partitë politike nuk duhet të pengojnë komunitetin serb të ushtrojë të drejtat e tij kushtetuese, pavarësisht ndikimeve që mund të vijnë nga Beogradi.

“Serbët janë deputetë të zgjedhur sipas ligjeve të Kosovës, me të drejta dhe obligime të barabarta. Nuk mundet një parti të bëjë presion politik mbi partitë e tjera për të penguar një komunitet të realizojë të drejtën e tij që ia jep Kushtetuta, pa marrë parasyshë se Lista serbe ndikohet nga Beogradi,” theksoi tutje ai.

Mustafa gjithashtu u bëri thirrje institucioneve që të punojnë për integrimin e përfaqësuesve të komunitetit serb në strukturat shtetërore dhe paralajmëroi se, në mungesë të marrëveshjes për formimin e qeverisë, vendi rrezikon të shkojë sërish në zgjedhje.

“Mendoj se Kuvendi duhet të konstituohet, dhe pasi s’ka vullnet nga subjektet politike të bëhet qeveria, atëherë shkuarja në zgjedhje do të jetë epilogu i ardhshëm. E çfarë pas zgjedhjeve do të vendosin qytetarët me votën e tyre. Është kjo rregull e demokracisë!” përfundoi Mustafa.

Gjykata urdhëroi që seanca konstituive të përfundojë brenda afatit prej 12 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij aktgjykimi.

Deputetët janë urdhëruar që funksionin e tyre ta ushtrojnë në “interesin më të mirë të Republikës së Kosovës” dhe ta zgjedhin nënkryetarin serb./IndeksOnline/