Droni serb fluturoi edhe në afërsi të burgut të Dyzit

Serbia sonte gjatë orëve të mbrëmjes ka lëshuar një dron, afër bazës ushtarake në Dumosh.
Po ashtu Indeksonline merr vesh se droni është lëshuar edhe mbi Burgun e Sigurisë së Lartë në Dyz.
Indeksonline ka siguruar pamje nga vendi i ngjarjes, teksa shihej lëvizja e dronit.
Disa ditë më parë lidhur me këtë çështje pati reaguar edhe Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla.
Sveçla, pak ditë më parë ka thënë se Beogradi zyrtar ka shkelur hapësirën ajrore të Republikës së Kosovës me disa dronë.
“Ne jemi duke i hetuar në mënyrë profesionale, në bashkëpunim me KFOR-in, por edhe me shërbimet partnere dhe në momentin që kemi më shumë informata patjetër që do t’i ndajmë me publikun”, ka thënë ai.
Pos Sveçlës për këtë çështje ka folur edhe folur edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovë, Gazmend Hoxha.
Hoxha ka thënë po ashtu që janë në koordinim me KFOR-in, që ka nën përgjegjësi hapësirën ajrore të Kosovës.
“Gjatë ditëve të fundit kemi pasur fluturime të dronëve që ne po dyshojmë që vijnë nga territori i Serbisë, në pjesën veriore të Kosovës. Policia është në kontakt me KFOR-in dhe jemi duke e bërë monitorimin se çfarë mund të bëhet. Është e rrezikshme për pjesën e kufirit por për qytetarët tanë jo. Ne jemi duke i mbrojtur. Ndërsa hapësira ajrore është përgjegjësi e KFOR-it, ne e kemi njoftuar KFOR-in dhe partnerët tanë. KFOR-i, është përgjegjësi e tyre dhe janë duke punuar në këtë drejtim”, ka thënë drejtori i Policisë të premten.