Vendimi i Kushtetueses, Rrustemi i LVV-së e bën të qartë: Nuk do të votojmë asnjë deputet të Listës Serbe për nënkryetar

Lëvizja Vetëvendosje nuk do të votojë asnjë deputet të Listës Serbe për nënkryetar të Kuvendit të Kosovës, thotë ish-deputeti, Adnan Rrustemi. Një ditë pas njoftimit të Gjykatës Kushtetuese se Kuvendi i Kosovës nuk është i konstituuar pa u zgjedhur edhe nënkryetari nga komuniteti serb, anëtari i LVV-së kritikon Kushtetuesen se i ka dhënë një levë shtesë Listës Serbe për të bllokuar konstituimin e Kuvendit dhe për ta përdorur këtë si një mekanizëm me fuqi vetoje edhe në të ardhmen.
Gjykata Kushtetuese në vendimin e 30 shtatorit ka thënë se seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, që ka nisur më 15 prill, nuk ka përfunduar pasi nuk është zgjedhur nënkryetari nga radhët e komunitetit serb, megjithëse kryeparlamentari i sapo zgjedhur, Dimal Basha, e kishte shpallur të konstituuar legjislaturën e nëntë në fund të muajit gusht.
Vendimi i Kushtetueses vjen pas ankesës së Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, lidhur me votimin ndaras të kandidatëve për nënkryetarë të Kuvendit nga radhët e komuniteteve jo shumicë.
Rrustemi thotë për KosovaPress se ani pse presin publikimin e plotë të aktgjykimit të Kushtetueses, ky vendim nuk i kontribuon zhbllokimit dhe krijimit të institucioneve, por vazhdimin e bllokadës dhe paqartësisë.
Në njërën nga dy urdhëresat e Kushtetueses, kërkohet që gjatë procedurës së zgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb, deputetët e Kuvendit të ushtrojnë funksionin e tyre kushtetues në interesin më të mirë të Kosovës dhe në pajtim me Kushtetutën dhe rregulloren e Kuvendit.
Mirëpo, Rrustemi thotë se Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje nuk do të votojë asnjë deputet të Listës Serbe për nënkryetar të Kuvendit. Madje ai i bën thirrje edhe partive ish-opozitare në Kuvend për një gjë të tillë, siç thekson, duke marrë parasysh veprimtarinë e Listës Serbe dhe pozicionimin e saj ndaj strukturave kriminale dhe terroriste.
Ndërkaq, sa i përket urdhëresës tjetër, ku Kushtetuesja urdhëron deputetët e Kuvendit që të konstituojnë legjislaturën e nëntë brenda afatit 12-ditor prej publikimit të aktgjykimit të plotë, Rrustemi deklaron se ka shumë paqartësi juridike se çka mund të ndodhë nëse s’ka respektim të këtij afati.
Sipas tij, Kushtetuesja ka pasur mundësi dhe argumente të pafundme për të konstatuar se Lista Serbe ka refuzuar të propozojë kandidat tjetër për nënkryetar pasi deputeti Slavko Simiq nuk i ka marrë votat e nevojshme, si dhe kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, ka shterur të gjitha mundësitë për të zgjedhur nënkryetarin nga komuniteti serb.
Kosova nuk ka themeluar institucionet e reja edhe tetë muaj pas përfundimit të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit. Në anën tjetër, pas vendimit të djeshëm të Kushtetueses, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka shkruar në rrjetin social Facebook, se nëse Kuvendi nuk konstituohet brenda afatit kushtetues, ai duhet të shpërndahet dhe të mbahen zgjedhjet e reja.