75 Mall Live Search
09:33 / E Enjte, 02 Tetor 2025 / MSH

“Çfarë bën NATO-ja nëse sulmohet Zvicra?”/ Tregon ministri zviceran i Mbrojtjes

Ministri zvicrran i Mbrojtjes, Martin Pfister, u bëri thirrje ligjvënësve zviceranë të vazhdojnë me lehtësimin e kufizimeve mbi eksportet e armëve, për të ndihmuar në rritjen e bashkëpunimit ndërkombëtar të sigurisë.

Ai po ashtu paralajmëroi për rreziqet e mundshme me të cilat përballet vendi neutral.

Qeveria në shkurt propozoi lehtësimin e kufizimeve në eksportet e armëve për të forcuar industrinë e saj të brendshme dhe lidhjet e sigurisë, një veprim i ndjeshëm për një vend që ka bllokuar rieksportin e armëve dhe municioneve të saj në Ukrainë, shkruan Reutersi.

Në një intervistë me gazetën Neue Zuercher Zeitung të botuar të enjten, ditën kur Pfister do të takohet me homologun e tij gjerman Boris Pistorius, ministri tha se qëndrimi kufizues zviceran ka dëmtuar “besimin” me partnerët e saj të sigurisë.

“Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme që parlamenti të vazhdojë të ecë përpara me rishikimin e planifikuar të ligjit për materialet e luftës: Ne duhet të sigurohemi që Zvicra të jetë një partner i besueshëm”, tha ai.

Pfister theksoi rrezikun e sulmeve kibernetike dhe ndërhyrjeve me dronë, dhe tha se kishte “nevojë të madhe për përmirësim” në aftësitë mbrojtëse për t’u përballur me këtë të fundit.

Zvicra së shpejti do të propozojë një sistem të përshtatshëm për këtë qëllim, shtoi ai.

Pfister u pyet gjithashtu se si do të reagonte NATO-ja nëse Zvicra do të sulmohej, dhe ai vërejti se, si një vend jo anëtar i aleancës, Zvicra është potencialisht e ndjeshme ndaj shantazhit.

“Sulmet me dronë mund të shkaktojnë gjithashtu dëme të mëdha”, tha ai. “Prandaj, Zvicra duhet të jetë në gjendje të bashkëpunojë me forcat e tjera të armatosura. Marrëdhëniet e qëndrueshme janë të rëndësishme”.

Pfister foli gjithashtu për porosinë e Zvicrës për avionët luftarakë amerikanë F-35, pasi filluan të lindnin pyetje nëse Zvicra mund të blinte më pak prej tyre për shkak të rritjes së kostove.

“Për momentin, blerja e 36 avionëve luftarakë ka ende kuptim”, tha ai.