75 Mall Live Search
10:43 / E Premte, 03 Tetor 2025 / KV

Goditet rrjeti ndërkombëtar i trafikimit të femrave në Shqipëri, organizatori arrestohet në Kolumbi (Video)

Pas 8 muajsh hetime, Policia e Shtetit, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, ka finalizuar operacionin policor të koduar “Rrjeti”, duke shkatërruar një grup të strukturuar kriminal që merrej me trafikim të qenieve njerëzore me qëllim shfrytëzimin për prostitucion në Shqipëri.

Operacioni është zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë, nën drejtimin e prokurorisë dhe në bashkëpunim me Prokurorinë dhe Policinë Kombëtare të Kolumbisë, Policinë Kroate, EUROPOL dhe EUROJUST.

Rezultatet e operacionit:

9 masa sigurie në Shqipëri, prej të cilave 7 arrestime me burgim.
Arrestimi në Kolumbi i organizatorit kryesor të grupit, shtetasit kolumbian L.B., 25 vjeç.
2 shtetas të shpallur në kërkim.
48 shtetase të huaja të proceduara penalisht për ushtrim prostitucioni.
Zbulimi i një hoteli në rrugën “Reshit Collaku” në Tiranë, i cili përdorej për akomodimin dhe shfrytëzimin e viktimave.
Sekuestrimi i shumave të parave, 7 celularëve dhe provave të tjera materiale.

Organizatori L. B. rekrutonte vajza nga Amerika Latine dhe Azia Qendrore, duke i sjell në Shqipëri për t’i shfrytëzuar në prostitucion, nën kërcënime dhe presion ndaj tyre dhe familjeve të tyre.
Anëtarët e tjerë të grupit siguronin akomodim, klientë, shpërndarje të drogës dhe menaxhimin financiar të rrjetit përmes kriptovalutave.

Materialet janë referuar në Prokurorinë e Tiranës për hetime të mëtejshme, ndërsa Policia e Shtetit theksoi se ky është një shembull i qartë i bashkëpunimit të suksesshëm ndërkombëtar për goditjen e krimit të organizuar.