Prokurori shqiptar zbret në Kolumbi, arrestohen 10 persona në operacionin ndërkombëtar “Rrjeti”

Operacioni i madh policor ndërkombëtar i koduar “Rrjeti” vijon me zhvillime të reja. Në Kolumbi ndodhen aktualisht prokurori i çështjes dhe drejtues të strukturave hetimore të DVP Tiranë, të cilët po marrin pjesë në operacionin e përbashkët me homologët kolumbianë.
Gjatë veprimeve të fundit të zhvilluara atje, janë arrestuar 10 shtetas të dyshuar për përfshirje në aktivitetin kriminal të trafikimit të qenieve njerëzore me qëllim shfrytëzimin për prostitucion.
Operacioni është zhvilluar në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë dhe Policinë Kombëtare të Kolumbisë, Policinë kroate, EUROPOL dhe EUROJUST, si edhe me mbështetjen e projekteve ndërkombëtare EU4FAST dhe WBCrimJust, në kuadër të EMPACT (European Multidisciplinary Platform Against Criminal Threats).
Policia e Shtetit konfirmon se operacioni i koduar “Rrjeti” vijon ende, duke u cilësuar si një prej aksioneve më të mëdha të goditjes së trafikut të qenieve njerëzore me shtrirje ndërkontinentale.