75 Mall Live Search
12:39 / E Diele, 05 Tetor 2025 / BA

Shpërthimi i makinës me tritol në Sarandë, flasin fqinjët: Ishte i fortë, copëzat u përhapën kudo

Një dëshmitare ka treguar se si ishte momenti i shpërthimit në Sarandë, që la të vdekur 58-vjeçarin Isuf Jaçaj.

Ajo u shpreh se shpërthimi ka qenë i fortë, teksa copëzat e makinës janë përhapur gjithandej.

“Ishte ora 10 ose 10 e gjysëm, se mbaj mend. Xhamat u shpërndanë gjithandej. Fëmijët u trembën shumë. Desh vdiqëm. Këtu kisha dhe turistë të huaj, u trembën shumë. Njëra ishte dhe shtatzënë u tremb dhe vetëm qante”, u shpreh dëshmitarja.

Isuf Jaçaj 58 vjeç ka humbur jetën mbrëmjen e të shtunës në Sarandë, pas tritolit që iu vendos makinës së tij.

Viktima kishte precedentë të mëparshëm penalë dhe ishte babai i Klaus Jaçajt, i cili ndodhet aktualisht në burg, i akuzuar për “përkrahje të autorit të krimit” në një ngjarje të ndodhur më 17 korrik 2025.

Gjatë atij incidenti u plagosën me armë zjarri Gëzim Hajdaraj dhe Ernest Lama, në lagjen nr. 4 të qytetit bregdetar.

Katër ditë më vonë një person i maskuar vendosi një sasi eksplozivi në makinën e Klaus Jaçajt, duke e shkatërruar atë plotësisht. Ngjarja në atë kohë mbeti pa autor.