Vuçiq: U vendos se rruga evropiane është strategjike, pati mosmarrëveshje me Osmanin

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq tha se në seancën plenare të samitit të Procesit Brdo-Brion në Durrës, u vendos se rruga evropiane është një rrugë strategjike për rajonin.
Vuçiq tha se kishte mosmarrëveshje mes tij dhe presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.
“Këtu nuk ka shtete, ne merremi vetëm me emra, kështu që kjo është diçka që është një trashëgimi e mirë e këtij procesi. Kam thënë dhe kam folur për atë lloj hipokrizie, standarde të dyfishta, ku secili prej nesh në fakt përpiqet të fitojë diçka në kurriz të dikujt tjetër, dhe se kemi pak qasje të përbashkët për zgjidhjen e problemeve në Ballkanin Perëndimor”, ka thënë Vuçiq në një deklaratë për mediat, raporton RTS.
Ai shtoi se në këtë samit u diskutua edhe për integritetin territorial.
“Imagjinoni kur Vjosa Osmani vjen dhe flet për integritetin territorial dhe mbrojtjen e integritetit territorial. Dhe pastaj barku juaj kthehet përmbys, dhe të gjithë të tjerët dëgjojnë, duke tundur kokën… Kështu që ne kujtuam ditët e saj të turizmit në Kombet e Bashkuara, uruam për më shumë turizëm në jetën e saj dhe kaq”, tha Vuçiç.
Vuçiq ndër të tjera tha se në këtë Samit u theksua se do të punonin së bashku për integrimin evropian.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se pas përfundimit të samitit, homologu i saj serb, Aleksandër Vuçiq, iu drejtua samitit në të cilin morën pjesë edhe presidentët e rajonit me ofendime dhe arrogancë, duke tentuar që të prishë takimin, mirëpo në fund arritën që të miratojnë deklaratën e përbashkët me unanimitet.
Sipas Osmanit, presidenti serb u ankua edhe për aleancën që Kosova, Shqipëria dhe Kroacia, kanë nënshkruar në fushën e mbrojtjes gjatë këtij viti, por që mori rikonfirmimin që ky bashkëpunim ka për qëllim vetëm mbrojtjen e tri vendeve.
“Vuçiqi i Serbisë iu drejtua samitit me ofendime dhe arrogancë me tentimin që të prishë takimin. Arritëm në fund që të miratojmë deklaratën e përbashkët me unanimitet dhe natyrisht për çdo propagandë që Vuçiq synonte të prezantonte para pjesëmarrësve, ne si Republikë e Kosovës kishim argumentet tona të fuqishme. Argumentet në anën e së drejtës dhe ato që janë fuqizuar edhe nga e drejta ndërkombëtare. Si Kosovë jemi pro bashkëpunimit rajonal, por të njëjtën kohë do të mbrojmë interesin tonë shtetëror, do të mbrojmë sovranitetin dhe integritetin territorial. Edhe pse Vuçiq kishte ankesa për paktin tonë dhe marrëveshjen e përbashkët Kosovë, Shqipëri dhe Kroaci në fushën e mbrojtjes. Ai mori rikonfirmimin tonë të përbashkët se kjo shënon një bashkëpunim që ka për qëllim mbrojtjen tonë. Përgjigja ime ishte që në tërë historinë e ekzistencës tonë si komb, ne askund nuk kemi sulmuar dhe pushtuar askënd, por gjithnjë kemi mbrojtur dhe do të vazhdojmë ta mbrojmë vetveten. Aleancat tona janë aleanca mbrojtëse për të na mbrojtur nga rreziqet që na vijnë nga të tjerët. Në rastin tonë konkret, rreziku vjen nga Serbia”, tha Osmani në një deklaratë për media në këtë samit.