75 Mall Live Search
17:47 / E Hënë, 06 Tetor 2025 / F.R

Austria dhe Sllovenia premtojnë mbështetje për rrugën evropiane të Kosovës

Zëvendëskryeministri i parë në detyrë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, priti sot në takim ministren për Evropë, Integrim dhe Familje të Austrisë, Claudia Plakolm, dhe sekretaren e shtetit për Çështje Evropiane të Sllovenisë, Neva Grašič.

Në takim u diskutua për procesin e integrimit evropian të Kosovës, zhvillimin ekonomik, dialogun me Serbinë, si dhe situatën e sigurisë në rajon. Palët theksuan rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë rajonal dhe mbështetjes së vazhdueshme të Austrisë dhe Sllovenisë për Kosovën në rrugën drejt Bashkimit Evropian.

Zëvendëskryeministri Bislimi falënderoi dy vendet partnere për mbështetjen e tyre të qëndrueshme, duke theksuar se Kosova ka shënuar përparim të dukshëm në katër vitet e fundit. Ai përmendi rritjen më të lartë ekonomike në rajon, uljen e papunësisë nga 23.8% në 10.9%, si dhe politikat sociale për nënat dhe fëmijët, rritjen e pensioneve dhe pagës minimale.

Bislimi theksoi se këta tregues, së bashku me liberalizimin e vizave dhe aplikimin për anëtarësim në BE, dëshmojnë se Kosova është gati për të marrë statusin e vendit kandidat.

Në fund, u diskutua edhe për Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor, Procesin e Berlinit, zgjerimin e BE-së dhe nevojën për heqjen e masave të BE-së ndaj Kosovës.